Motosport

Kinezi i parë në historinë e F.1, Guanyu Zhou tek Alfa Romeo me Valteri Botas

Ja ku vjen edhe zyrtarizimi: Guanyu Zhou do të zëvendësojë Antonio Xhovinacin tek Alfa Romeo dhe do të garojë përkrah Valteri Botas Botërorin e ardhshëm të Formula 1. Kinezi i dalë nga akademia e Ferrarit ka dalë i dyti në kampionatin e Formula 2 dhe është një idhull për gjithë popullin kinez.

“Që kur hodha hapat e parë në këtë sport, kam ëndërruar të arrij sa më lart, - ka thënë Zhou në momentin e firmës. – Dhe tani kjo ëndërr është realizuar. Është privilegj ta nis karrierën time në Formula 1 me një skuadër ikonike si Alfa Romeo Racing, që në historinë e saj ka nxjerrë shumë talente. E di që më pret një sfidë impenjative, por jam përgatitur dhe do të mbështetem te një shok skuadre i nivelit të lartë, si Valteri Botas.

Dua ta falënderoj skuadrën e Alfa Romeo Racing për këtë mundësi. Jam i ndërgjegjshëm se çfarë do të thotë të jem piloti i parë kinez në Formula 1, është një kthesë e rëndësishme për lëvizjen e motorsportit në vendin tim. Ka pritshmëri të mëdha dhe kjo besoj do të më motivojë më shumë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë