Bota

Kinë, 110 mijë zyrtarë komunistë të akuzuar dhe dënuar për korrupsion në 2023

Është një rritje prej 13% krahasuar me vitin 2022. Mes tyre 45 drejtues të nivelit shumë të lartë, përfshirë ministrin e Jashtëm Qin Gang dhe ministrin e Mbrojtjes Li Shangfu, të cilët u zhdukën pa shpjegim verën e kaluar

Gazeta Si - Kina po hyn në një klimë festive për Vitin e Ri Hënor që bie më 10 shkurt. Është koha për dhurata dhe zarfe të kuq plot juan (leku vendës). Gjithashtu një mundësi për të favorizuar zyrtarët e të gjitha niveleve, me akte të vogla dhe të mëdha korrupsioni.

Nuk është rastësi që në prag të Vitit të Ri (shenja e zodiakut, Dragoi), "Komisioni Qendror i Disiplinës dhe Inspektimit" i Partisë, komunikoi të dhënat për gjuetinë e tij për shokët e korruptuar: në vitin 2023, 110 mijë zyrtarë komunistë u akuzuan, një rritje prej 13% krahasuar me vitin 2022.

Mes të dënuarve, 45 liderë të nivelit shumë të lartë, përfshirë ministrin e Jashtëm, Qin Gang dhe ministrin e Mbrojtjes, Li Shangfu, u zhdukën pa shpjegim verën e kaluar.

Midis funksionarëve kinezë të spastruar, janë edhe nëntë gjeneralë, përfshirë komandantët e forcave raketore.

Është e qartë se këta të spastruar nuk akuzohen për raste të vogla korrupsioni, por për shkelje që kanë vënë në rrezik sigurinë dhe emrin e mirë të Partisë-Shtet.

Rasti i fundit i bujshëm është ai i shokut Chen Xuyuan, president i Federatës Kombëtare të Futbollit.

I arrestuar dhe para gjyqit, ai rrëfeu se kishte marrë 11 milionë dollarë ryshfet midis 2010 dhe 2023, fillimisht si president i Portit të Shangait dhe më pas si kreu i lëvizjes së futbollit, së cilës Xi i kishte caktuar detyrën për të transformuar Kinën në një superfuqi edhe në futboll.

Që nga viti 2022, 14 menaxherë futbolli janë vënë nën hetim: mes tyre është edhe Li Tie, trajneri i kombëtares.

Pjesa më e madhe e 110,000 të dënuarve janë burokratë të vegjël dhe të mesëm pa fytyrë, të cilët kanë thyer disa nga tetë rregullat e sjelljes që Xi Jinping kishte renditur në vitin 2012, kur ai u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë.

Xi donte një aparat burokratik "të kursyer dhe të përgjegjshëm" dhe urdhëroi anulimin e "zakoneve të këqija", të tilla si "banketet luksoze ekstravagante", "takimet e dominuara nga fjalimet retorike dhe pa përmbajtje" dhe natyrshëm drejtoi gishtin ndaj korrupsionit endemik në të gjitha nivelet.

Ai u zotua publikisht "të largonte tigrat dhe të godiste mizat", domethënë, figurat e mëdha të Partisë-Shtet dhe dredhitë e administratës publike të pangopur për para dhe favore nën tryezë.

Në listën e Komisionit Disiplinor, 40 mijë të dënuar kishin marrë apo kërkuar ryshfet apo dhurata të shtrenjta; 10 mijë kishin dhënë ose kishin marrë “përfitime të paligjshme” (shkëmbimi klasik i favoreve mes administratorëve publikë dhe qytetarëve privatë).

Më pas janë 41 mijë zyrtarë të sanksionuar për “mungesë përgjegjësie në kryerjen e detyrës”.

Një shprehje mjaft e gjerë që mund të nënkuptojë paaftësi, lajka, dembelizëm dhe në çdo rast dështim në kryerjen e detyrës.

Politologët besojnë se kjo kategori është fryrë nga frika: shumë prej tyre, nga frika se mos bëjnë gabime dhe sanksionohen, në fakt shmangin çdo vendim dhe hyjnë në "modalitetin pasiv". Në vitin 2012, hetuesit e Partisë kanë regjistruar 156.144 shkelje të disiplinës.

Fakti që dymbëdhjetë vjet më vonë numrat janë të ngjashëm (110 mijë) do të thotë se beteja është larg fitimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë