Shendet

Kina prodhon vaksinën: E përshtatshme për kushtet e emergjencës

Shkencëtarët kinezë njoftojnë se një vaksinë anti-Covid e zhvilluar prej tyre dhe që ka hyrë në fazën e tretë të testimeve ka dhënë rezultate të kënaqshme.

Aktualisht në Kinë janë rreth 10 vaksina potenciale, një pjesë e të cilave janë duke u marrë në administrim dhe shpërndarje nga strukturat shtetërore. Por, më premtuesja duket vaksina e kompanisë Sinovac Biotech.

Studiuesit që qëndrojnë pas kësaj kure të mundshme thonë se testimi i saj tek një grup prej 700 personash tregoi një reagim të shpejtë të sistemit imunitar. Njoftimi i kompanisë kineze mbërriti pasi kompanitë amerikane dhe europiane thanë se dy vaksina e tyre kaluan me sukses fazën e fundit të testimit.

Aktualisht janë tre vaksina që janë hedhur përmes metodave “urgjente”. Njëra e zhvilluar në SHBA, një në Gjermani dhe një në Rusi. Që të gjitha kompanitë që qëndrojnë pas tyre pretendojnë një efikasitet mbi 90 për qind të tyre.

Çfarë dimë për vaksinën kineze?

Si pjesa tjetër e botës, Kina është pjesë e gaarës për të zhvilluar një vaksinë anti-Covid. Si vendi ku shpërtheu virusi shkencëtarët kinezë konsideroheshin “të avantazhuar” në këtë garë, pasi kishin në dorë të dhënat e para dhe të shumta disa muaj para pjesës tjetër të botës.

Megjithatë, nëse në SHBA dhe Europë është njoftuar tejkalimi i fazës së tretë dhe finale të testimit, vaksina kineze e Sinovac Biotech vetëm tani njoftohet se ka kaluar fazën e dytë të tij, të paktën sipas raportimit në revistën shkencore “The Lancet”.

Nga raportimi në këtë revistë thuhet se CoronaVac e Sinovac Biotech shkaktoi një përgjigje të shpejtë të sistemit imunitar, megjithëse studimet e kryera në prill dhe maj të këtij viti nuk citojnë asnjë përqindje suksesi për këtë vaksinë.

Zhu Fengcai, një prej udhëheqësve në këtë zbulim thotë se nga testimi i 144 personave në fazën e parë dhe 600 personave në fazën e dytë, “vaksina mund të vlerësohet si e përshtatshme për përdorim urgjent”.

Megjithatë, deri më tani asnjë e dhënë nuk është publikuar në lidhje me fazën e tretë dhe finale të testimit në masë. Ajo që dihet është se autoritetet shtetërore kineze njoftojnë se në këtë fazë janë vaksinuar rreth 60 mijë persona.

Testimet e vaksinës së Sinovac Biotech u ndaluan përkohësisht në Brazil pasi një person pjesëmarrës gjeti vdekjen. Por, ato rinisën pasi në përfundim të hetimeve rezultoi se personi në fjalë nuk kishte vdekur nga ndonjë efekt anësor i vaksinës.

Kina thotë se brenda vendit e ka pandeminë plotësisht nën kontroll dhe se për këtë arsye testimet më të shumta në fazën e tretë për këtë vaksinë janë kryer në Pakistan, Arabinë Saudite, Rusi, Indonezi dhe Brazil.

Burimi: BBC / Përshtati në shqip, Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë