Gazeta Si - Kina ka nisur stërvitjet më të mëdha ushtarake të kryera ndonjëherë rreth Tajvanit, në përgjigje të vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi në ishull.
Sipas Taipei, 11 raketa balistike u lëshuan nga Pekini të enjten. Pesë, tha Tokio, kanë arritur në zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë.
Ndërsa Pekini ka akuzuar SHBA-të, “ata krijuan krizën”, Blinken reagon: "SHBA është kundër çdo ndryshimi në status quo-në e Tajvanit".
"Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, thekson se do t'i përmbahet parimit të përgatitjes për luftë pa kërkuar luftë", thuhet në një deklaratë të lëshuar nga forcat e armatosura të Taipeit.






Kjo e fundit, gjithashtu akuzon qeverinë e Pekinit për "sjellje irracionale". Stërvitjet do të kishin në fakt "synimin për të ndryshuar status quo-në dhe për të prishur paqen dhe stabilitetin rajonal. Ushtria kombëtare do të vazhdojë të forcojë gatishmërinë e saj dhe trupat në të gjitha nivelet do të kryejnë stërvitje të përditshme".
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Taipeit, Pekini lëshoi të enjten 11 raketa balistike Dongfeng (DF) në ujërat përreth Tajvanit.
Ushtria e Taipeit "kapi menjëherë dinamikën e nisjes, aktivizoi sistemet përkatëse të mbrojtjes dhe forcoi gatishmërinë luftarake".
Ndërkohë, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara mbetet i pandryshuar. "Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë çdo përpjekje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në e Tajvanit, veçanërisht me forcë," tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në Phnom Penh, Kamboxhia, ku ai po merr pjesë në samitin e ASEAN.
"Politika e SHBA-së në ishull nuk ka ndryshuar", përsëriti Blinken, duke theksuar se "stabiliteti i ngushticës është në interes të të gjithë rajonit".
Operacionet përfshijnë ushtrime të "mbylljes dhe kontrollit", sulm dhe zjarr ndaj objektivave tokësorë. Manovrat duhet të vazhdojnë deri më 7 gusht.
Në frontin ekonomik, Kina ka pezulluar importin e qindra kategorive të produkteve nga Tajvani dhe ka pezulluar eksportet e saj të lëndëve të para të dobishme për industrinë teknologjike të ishullit demokratik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.