Bota

Kina i përgjigjet SHBA me parimin e Talionit

Kina njoftoi planet për të sanksionuar disa shtetas amerikanë, pas vendimit të Uashingtonit që sanksionoi shtatë zëvendësdrejtorëve dhe kreut të zyrës ndërlidhëse mes Pekinit dhe Hong Kongut.

Mes personave të futur në listën e sanksioneve nga ana e Kinës është ish-Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross.

Kina tha se do të vinte në shënjestër edhe Kryetaren e Komisionit të Rishikimit Ekonomik dhe të Sigurisë SHBA-Kinë Carolyn Bartholomeë, ish-drejtorin e stafit të Komisionit Ekzekutiv të Kongresit për Kinën Jonathan Stivers, DoYun Kim nga Instituti Demokrat Kombëtar, nëndrejtorin e Institutit Ndërkombëtar Republikan Adam King, dretoreshën e organizatës Human Rights për Kinën Sophie Richardson dhe Këshillin Demokratik të Hong Kongut.

"Veprimet e ndërmarra nga SHBA shkelin rëndë ligjin ndërkombëtar dhe normat themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ndërhynë seriozisht në punët e brendshme të Kinës. Kina i kundërshton fuqishëm këto veprime dhe i dënon ashpër ato”, citon agjencia Reuters një deklaratë të Pekinit.

Kina e konsideron Hong Kongun çështje të brendshme të saj dhe thotë se nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje të jashtme në këtë çështje.

Në SHBA u minimizua efekti i vendimit të Pekinit për sanksione.

"Më duhet të them se kjo është thjesht zhurmë dhe shpërqendrim. Ne kemi punë për të bërë dhe këto sanksione nuk do të na e heqin vëmendjen aspak nga kryerja e detyrës sonë. Uroj që qeveria kineze të përqendrojë energjitë e saj në dhënien fund të krimeve kundër njerëzimit të kryera kundër ujgurëve dhe krimeve të tjera të rënda të të drejtave të njeriut”, tha Richardson.

Drejtorja e Human Rights Watch për Kinën u shpreh e shqetësuar për statusin e të drejtave themelore të njeriut në këtë vend.

Ndërkohë, përveç sanksionimit të zyrtarëve kinezë, Shtetet e Bashkuara lëshuan një paralajmërim kohët e fundit për kompanitë amerikane lidhur me rrezikun e veprimtarisë së tyre në Hong Kong. Kina akuzohet për shkelje të të drejtave themelore të njeriut gjatë protestave të Hong Kongut kundër një ligji që reduktonte autonominë e rajonit, që iu dorëzua Pekinit nga Britania e Madhe në vitin 1996.

Sanksionet janë të parat që ndërmerren nga Kina sipas një ligji të miratuar në qershor dhe vijnë vetëm disa ditë para se Zëvendës Sekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman shkon për një vizitë në Kinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë