Shendet

Kina dhe vala e re Covid 19 në qershor, priten 65 milionë raste në javë

Gazeta Si - "Kërcënimi i Covid 19 nuk është zhdukur, edhe pse bota nuk dëshiron të dëgjojë për të, qeveritë duhet të jenë të gatshme t'i përgjigjen një rigjallërimi të infeksioneve," thotë epidemiologia e OBSH-së, Maria Van Kerkhove, e cila udhëhoqi strategjinë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë  gjatë krizës së pandemisë botërore.

Sipas "Bloomberg", një sinjal alarmi po vjen nga Pekini, megjithëse i përmbajtur. Varianti XBB i “Omicron”, i cili është i përhapur në Kinë, po shkakton 40 milionë infeksione në javë dhe do të arrijë kulmin në fund të qershorit, me 65 milionë raste në javë, thotë profesor Zhong Nanshan, eksperti më i respektuar i qeverisë kineze në fushën e sëmundjeve të frymëmarrjes.

Situata është padyshim më pak serioze se janari i kaluar, kur pas tërheqjes së papritur të qeverisë kineze nga politika "Covid Zero" me bllokimet e saj mbytëse për ekonominë dhe shoqërinë, pati një shpërthim rastesh.

Në atë kohë kishte 37 milionë infeksione në ditë dhe një numër të paspecifikuar vdekjesh (modelet matematikore të zhvilluara në Perëndim hipotezuan rreth një milion vdekje në tre muaj kritikë, nga fundi i dhjetorit, deri në mars).

65 milionë rastet në javë, që parashikohen deri në fund të këtij qershori, nënkuptojnë rreth 9 milionë raste në ditë, më pak se një e katërta e valës së parë.

Ky kulm i dytë nuk do të kalojë nivelin e rrezikut dhe nuk do të pushtojë spitalet e Kinës, siguron shtypin doktor Wang Guangfa, një specialist në Spitalin e Parë të Universitetit të Pekinit.

Vala e parë dimrin e kaluar, preku rreth 80 për qind të popullsisë në qytetet e mëdha, duke shkaktuar një fenomen imunizimi që po zbehet gjashtë muaj më vonë.

Që nga fillimi i muajit maj, "Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve" në Pekin, ka ndaluar ofrimin e buletineve statistikore javore për numrin e infeksioneve nga Covid-19.

Por, ajo vuri në dukje se në Kinë, varianti XBB u rrit nga 0.2% në muajin shkurt, në 83.6% këtë muaj. Dr. Wang Guangfa siguron: "Rinfeksioni zakonisht shkakton simptoma më të buta".

Përveç kësaj, industria farmaceutike kineze ka zhvilluar dy vaksina të reja që synojnë variantin e ri dhe qeveria po përgatitet t'i vërë ato në dispozicion të popullatës.

Epidemiologu Zhong Nanshan, njoftoi se tre ose katër vaksina të tjera do të miratohen së shpejti nga autoritetet: "Ne jemi shumë të avancuar në kërkim dhe zhvillim".

Dr. Van Kerkhove e OBSH-së, u bën thirrje qeverive dhe njerëzve që të mbajnë një nivel të arsyeshëm masash paraprake dhe nxit komunitetin ndërkombëtar të punojë së bashku për të parandaluar një rikthim kërcënues të Covid-19.

Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka refuzuar edhe një herë kërkesën e Tajvanit për të marrë pjesë në Asamblenë Vjetore që mbahet që nga 21 maji në Gjenevë, për dhjetë ditë.

Sërish fitoi vetoja e Kinës, e cila nuk do që të ribashkohet me asnjë njohje ndërkombëtare për ishullin, të cilin e konsideron një provincë të ndarë përkohësisht dhe në mënyrë të paligjshme.

Politika mbizotëron edhe një herë mbi shëndetin botëror, vuri në dukje Ministria e Jashtme e Taipeit, duke vënë në dukje se sistemi shëndetësor i ishullit demokratik, i ishte përgjigjur mirë pandemisë dhe mund të kishte ndarë përvojën e tij në takimin e OBSH-së, në të cilën kërkoi të merrte pjesë si një "vëzhgues" i thjeshtë.

Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë