Politike

Kim në zyrën e Kryemadhit: Reforma zgjedhore të mbyllet sa më shpejt

Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim ka nisur sot ditën duke u takuar me përfaqësuesit e opozitës parlamentare dhe jashtëparlamentare.
Diplomatja amerikane fillimisht u takua me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi, situata politike kanë qenë pjesë e diskutimit mes Kryemadhit dhe ambasadores Kim. Në një postim në rrjetet, Kryemadhi thekson se në këtë takim ta parë me diplomaten amerikane i ka shprehur mbështetjen e plotë për 3 prioritet në fushat e sigurisë, të forcimit demokratik si dhe në aspektin e bashkëpunimit ekonomik dhe të zhvillimit, për të cilat LSI ndan të njëjtin vizion dhe të njëjtin vlerësim.
“Vlerësoj në mënyrë të veçantë theksin në prioritetet e bashkëpunimit ekonomik të cilat janë domosdoshmëri që vendit t'i kthehet një rritje e qëndrueshme ekonomike dhe të ofrojë punësim, veçanërisht për rininë. Vlerësova gjithashtu mbështetjen e pakufizuar që SHBA jep për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe përkrahjen e vazhdueshme për realizimin e reformave që kërkon axhenda jonë e integrimit”, shprehet Kryemadhi .

Kryemadhi gjatë takimit me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim. Gazeta "Si" 11 shkurt 2020


Sa i përket reformës zgjedhore, kryetarja e LSI theksoi se “ndamë bindjen e përbashkët që përfundimi sa më i shpejtë i reformës zgjedhore sipas standardeve të OSBE/ODIHR është i një rëndësie prioritare. Vlerësova partneritetin strategjik me SHBA për forcimin e paqes, të zhvillimit dhe të integrimit të rajonit tonë”.
Ambasadorja Kim ka nisur takime me të gjithë udhëheqësit e faktorët politik në Shqipëri, duke shpallur edhe objektivat e saj në ushtrimin e mandatit në emër të qeverisë amerikane. Kim mësohet se ka zhvilluar më pas edhe një takim me deputetët e opozitës së parlamentare, Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni në Kryesinë e Kuvendit. Ndërkombëtarët po këmbëngulin në realizimin e reformës zgjedhore, duke plotësuar kushtet edhe kushtet e vendosura për çeljen e negociatave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë