Drejtësia

Kim inkurajon SPAK-un: Koha për t’i dhënë fund mosndëshkimit, sado i pasur apo i fuqishëm qoftë

Gazeta Si - Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim, shpreh respektin për prokurorët e SPAK-ut, për të cilët thotë se përballen me korrupsionin dhe krimin e organizuar në 3 vitet e fundit në Shqipëri.

Në një postim në Twitter, Kim shkruan se SPAK po jep rezultate gjithë e më shumë që tregojnë se askush nuk është mbi ligjin dhe se SHBA do të vazhdojë të mbështesë reformën në drejtësi.

“Ishte një nder të ftoja prokurorët e SPAK në ‘Ryerson House’. Ne shprehim falënderime dhe respekt për këta prokurorë të jashtëzakonshëm për guximin dhe profesionalizmin e tyre në përballjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar gjatë 3 viteve të fundit”.

Kim i fton ata të vijojnë punën e nisur, duke u shprehur se “tani është koha për të intensifikuar ato përpjekje dhe për t’i dhënë fund mënyrave të vjetra të mosndëshkimit. SPAK po jep gjithnjë e më shumë rezultate që tregojnë se askush – sado i pasur apo i fuqishëm qoftë – nuk është mbi ligjin”.

Ambasadorja amerikane siguron se, “SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht reformën në drejtësi, duke përfshirë SPAK-un, sepse duam një aleat të fortë, të sigurt dhe të begatë, dhe sepse besojmë ashtu si shqiptarët se Shqipëria i përket BE-së”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë