Futboll

Kielini ndez polemikat: Reali i hoqi “Topin e Artë” Ronaldos vitin e kaluar

“Topin e Artë” e ka fituar Lionel Mesi, Kristiano Ronaldo ka ngelur keq, ndërsa Xhorxho Kielini është treguar i ashpër në deklaratat e tij në lidhje me çmimin prestigjioz, duke ndezur polemikat. “Vjedhja ndaj Ronaldos është bërë vitin e kaluar, – thotë kapiteni i Juventusit. – Reali Madridi vendosi t’ia hiqte këtë trofe. Nuk ishte e ndershme, Luka Modriç nuk ishte as në vitin e tij më të mirë. Këtë vit ishte shumë e vështirë të zgjidhje mes Ronaldos, Mesit dhe Van Dijk, ishte si të zgjidhje mes Federerit, Nadalit dhe Gjokoviçit…

Nëse duhet vlerësuar Championsi, ishte Van Dijk, nëse duhet vlerësuar arritja me klube, ishte Ronaldo. Pastaj është edhe Mesi që bën gjithmonë shumë mirë me Barcelonën. Ne e mbajmë fort Kristianon. “Topin e Artë” të vitit të kaluar, sipas logjikës, duhej të fitonte Griezman ose Mbapé. Kristiano është i lumtur që është vlerësuar nga “Aic”, sepse në të kundërt nuk do të kishte ardhur këtu. Nuk po përjeton periudhën më të mirë të karrierës së tij, por është shumë i rëndësishëm për ne”, – ka thënë Kielini.

Ronaldo dhe Zapata, të vlerësuar dje me çmime nga “Aic”. Gazeta Si, 3 dhjetor 2019

Mbrojtësi italian ka folur pa doreza edhe në lidhje me kampionatin. “Interi? E njoh Konten dhe lojtarët nuk më kanë surprizuar. Do të jetë kështu edhe për shumë kohë dhe e dimë se duhet të vuajmë. Kemi fituar 15 ndeshje dhe kemi barazuar në 4 ndeshje. Ishte e vështirë të bënim më mirë. Interi po bën diçka të jashtëzakonshme. Kemi nevojë për një shkëndijë që të na çojë te loja e bukur”, – ka shtuar Kielini.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë