Lajme

Londo: Të gjithë duan Eksperimentalin!

Suadela Balliu - Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” po punon jashtë kapaciteteve të veta, do të shprehej drejtori Kiço Londo, përpara premierës së shfaqjes “Oskari dhe tezja Rozë”, shfaqje e cila çeli edhe sezonin e ri artistik. Duket se përtej shfaqjeve të kalendarit të vetë teatrit, ai ka hapur dyert për të mirëpritur edhe produksionet e pavarura, ku trupa të ndryshme aktorësh e regjisorësh ndajnë në të njëjtën kohë mjediset për prova.  Pas shfaqjes, me regji të vetë Londos që solli në skenë aktoren Roza Anagnosti, ishte radha e regjisores  Suela Bako me shfaqjen “Tri gra dhe Misugi” në skenën e sallës “Goethe”, ndërsa një tjetër shfaqje, “Atë Sergi” me regji të Fatos Berishës,  po përgatitet për javën e ardhshme.

“Do të jetë edhe Erion Mustafaraj me një shfaqje musical”, zbulon drejtori i TKEKS, ndërsa shton se si salla “Goethe” ashtu edhe “Moliere” janë të hapura. Joshje bëhet edhe fakti që ende Teatri Eksperimental e vijon veprimtarinë artistike në godinën aktuale. I pyetur nëse kanë marrë urdhër për të lëvizur apo se kur do të jetë zhvendosja e këtij teatri, Londo mjaftohet duke thënë se për momentin janë aty. Më vonë? Të shohin. Është kjo vendndodhje e kthyer në traditë për publikun që e do teatrin, që ndoshta i bën producentët dhe regjisorët që vijnë me prodhime private, të mos i largojnë shikuesit prej zakoneve të vjetra.

“Natyrisht që kjo na i ngushton pak hapësirat, na bën të mos jemi shumë komodë, por gjithsesi kemi vendosur ca kritere”, rrëfen Londo, ndërsa shton se,  me gjithë kriteret, të paktë janë ato produksione që mund të refuzohen prej Teatrit Eksperimental dhe shkak bëhet vetëm pamundësia.  Londo zbulon se gjatë këtij sezoni do të vijnë shfaqje me një gamë të gjerë jo vetëm gjinish dhe epokash, por edhe shkollash regjisoriale. “ Pas tri javësh kemi premierën e dytë me një regjisor nga Lituania, me veprën gjermane “Jashtë derës”  e autorit Wolfgang Borchert e më pas do të kemi të tjera shfaqje me regjisorë të huaj nga Kroacia, Franca e Italia”, thotë Londo, ndërsa shton se do të vijë në skenën e këtij teatri “Antigona” nga antikiteti grek, “Jul Cezari” e gjithashtu “Salome” e Oscar Wilde.

Drejtori i TKEKS, Kiço Londo 

“Vjet kemi realizuar 410 shfaqje; shifër kjo më e madhe se e 11 teatrove zyrtarë që ka Shqipëria. Është një sfidë për t’u kapërcyer kjo shifër”, thotë drejtori, ndërsa shton se tani gara është me veten. “Nuk e kemi sasinë qëllim, por në misionin tonë është komunikimi me sa më shumë spektatorë të jetë e mundur. Kjo varet nga marketingu, por para së gjithash nga cilësia shfaqjes”.Vitin e kaluar publiku që ka ndjekur shfaqjet në Teatrin Eksperimental ka kapur shifrën e 75 mijë spektatorëve, “Sa një e dhjeta e popullsisë së kryeqytetit”,  krahason Londo.

Një nga pikat e forta të Teatrit Eksperimental, që i ka dhënë edhe jehonë,  pranon drejtori, janë edhe shfaqjet për fëmijë edhe të rritur, të pamungueshme përgjatë të gjithë sezonit në “Kujtim Spahivogli”. Ishin pikërisht dy shfaqjet për fëmijë që çelën këtë sezon, ndërsa për mbrëmjen e Krishtlindjes dot ketë sërish një tjetër shfaqje. Gjithsej, zbulon Londo, do të jenë  shtatë shfaqje për fëmijë dhe dy për adoleshentë, deri në fund të sezonit, në mes të 2019-ës. 

Shfaqje për fëmijë në TKEKS

“Nuk mendojmë se meqë janë shfaqje për fëmijë, duhet të jenë shfaqje të dorës së dytë, përkundrazi, energjia, që shpenzojmë, financat gjithashtu, janë të konsiderueshme, sepse e shohim teatrin për fëmijë, shumë dobiprurës.  Së pari për misionin e teatrit, pastaj për  komunikimin e gjallë me publikun , gjithashtu kultivojmë spektatorin e ardhshëm të teatrit dhe shfaqjet për fëmijë dhe adoleshentë i kanë dhënë një emër jo të vogël Teatrit Eksperimental.”

Këtë vit, TKEKS është në përpjekje për të hapur teatrin për fëmijë në Bashkinë e Kamzës. “Kemi bërë bisedat e para, me kryetarin e Bashkisë, z. Mziu dhe kemi gjetur mirëkuptim. Propozimi  është i yni, mbështetja totale është e tij dhe e stafit të Qendrës Kulturore në Kamëz.” Kjo është risia e këtij viti, “ndërsa vitin e kaluar kishim teatrot e rajoneve”, shton Londo, ndërsa prodhimet e teatrit Eksperimental kanë qenë të pranishme në festivalet e ndryshme, si Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, ku me shfaqjen “Medea” arritën të fitonin katër çmime, u vlerësuan gjithashtu në “KoKo Fest” në Korçë dhe u prezantuan në festivalin e teatrove në Tetovë. “Do të jemi në fillim të nëntorit në Festivalin e Gjirokastrës dhe më pas në një tjetër festival në Gostivar”, thotë Londo, me besimin se trupa  do të paraqitet dinjitoze.  

Nga shfaqje "Oskari dhe tezja Rozë" premierë në TKEKS

Përtej ftesës për ta sjellë publikun tek teatri, ajo që po përpiqet Teatri Eksperimental është ta çojë teatrin tek publiku. “E kemi thënë se organizimi i teatrit është i vjetër, i amortizuar, jashtë tregut dhe për pasojë kemi bërë organizim tjetër por eksperimenti nuk mund të mbarojë këtu. Qëllimi është të zgjerojmë kufijtë dhe vajtja në Kamëz me teatrin për fëmijë ka këtë qëllim”, pohon. Sipas Londos, qasje e kulturës dhe artit duhet të ndryshojë “Jemi akoma jashtë konceptit të shoqërisë së tregut. Nuk mendoj që teatri duhet të bëjë treg, por duhet të ketë tregun e vet.”

Megjithëse e pranon që vendndodhja është një pikë identifikuese për publikun që e do teatrit e po ashtu fasada, kushtet apo mikpritja janë elementë që ndihmojnë, por kriter parësor mbetet cilësia e një shfaqjeje dhe misioni i teatrit. “Nëse teatri është pa mision, ai e humbet publikun, ose fiton një lloj publiku thjesht për t’u argëtuar.”  Megjithëse i rezervuar në dhënien e një mendimi publikisht rreth shembjes së godinës së  Teatrit Kombëtar, Londo mendon se problemi më madhor nuk është godina, porse përçarja e komunitetit të aktorëve dhe regjisorëve.

"Medea" shfaqje e TKEKS. 

“Padyshim që problemi i godinës do të zgjidhet, por ajo që do të lërë shenja për një kohë të gjatë më shumë sesa  shembja e godinës,  është ndarja e komunitetit.”Përgjegjës kryesor rreth kësaj ndarjeje, Londo quan vetë këtë komunitet artistik, që sipas tij “nuk diti të orientohet qartë dhe saktë në situatën e krijuar.” Por jo më pak bën me faj edhe politikën, e cila në këtë rast, mendon ai, “u tregua e vogël. Mendoi se do të triumfonte duke u futur krahun disa individëve e duke u bërë karshillëk një pjese tjetër.”

Londo thotë që të gjitha këto përçarje ndodhën në mënyrë ironike në vitin e cilësuar si “Viti i Skënderbeut” . “Duket se edhe pas 55 vitesh asgjë nuk kemi mësuar nga historia. Hamzai është gjallë, rreth nesh. Dhe Skënderbeu u ndje i tradhtuar pikërisht në vitin e tij”, përfundon Londo. Megjithatë ajo pjesë e godinës së teatrit, që është sot Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” , do të vijojë të jetë e preferuar për regjisorët dhe aktorët e prodhimeve të pavarura, derisa të vendoset për shpërnguljen e tij, drejt një skene tjetër alternative, ashtu si edhe Teatri Kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë