Lajme

Këshilltari Bashkiak i Tiranës: Veliaj vjedh 14 mln euro me projektin e shkollave me PPP

Këshilltari Bashkiak i Tiranës, Mateo Spaho, në një konferencë për shtyp në selinë e Partisë Demokratike ka sulmuar kryetarin e Bashkisë, Erjon Veliaj. Spaho u shpreh se kryebashkiaku i Tiranës vjedh 14 milionë euro me projektin e shkollave me PPP.

“Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, ka vendosur të fusë dorën edhe më shumë ne xhepat e qytetarëve të kryeqytetit dhe t’i grabisë ata duke përdorur si mburojë fëmijët dhe shkollat. Ai po përgatit dhe po zbaton skemën më të madhe të abuzimit me paratë tona, paratë e taksapaguesve për t’ua dhënë klientëve dhe klientëve të tutorit të tij, Edi Rama. Kryetari i Bashkisë ka propaganduar me të madhe ndërtimin e 17 shkollave të reja njëherazi duke detyruar qytetarët e Tiranës të paguajnë 80 milionë euro në 7 vjet për disa ndërtesa që në vend që të jenë simbol i dijes, simbol i të mirës, do të jenë simboli i korrupsionit të kryebashkiakut Erjon Veliaj. Pas rritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë, rritjes së taksës së tabelës, pas dyfishimit të taksës së pronës, pas rritjes së taksës për hapësirat publike etj, qytetarët e Tiranës do të paguajnë taksën e dyfishtë për arsimin sepse Erjon Veliaj ka vendosur të zhdukë 14 milionë euro nga projekti i shkollave me PPP. Si bëhet ky shpërdorim? Shumica e familjeve në Tiranë kanë marrë të paktën një herë në jetën e vet kredi, dhe gjithkush synon për të blerë një shtëpi ose për të blerë diçka të marrë një kredi bankare, me një interes normal sot 4%, por nuk ndodh e njëjta gjë me Erjon Veliajn”,  u shpreh Spaho.  

Ndërkohë, ai tha se përfituesi i parë nga këto politika të Veliajt, është ndërtuesi i shtëpisë së tij tek Kodra e Diellit.

“I pari që ka firmosur kontratën me Bashkinë e Tiranës është Gentjan Sula. Qytetarët e Tiranës duhet të dinë se ky është ndërtuesi i rezidencës luksoze të vilave në Kodrën e Diellit ku rastësisht jeton edhe kryebashkiaku Veliaj. Konflikti i interesit është i hapur njësoj si vjedhja e 14 milionë eurove për projektin e shkollave me PPP. Ka ardhur koha që qytetarët e Tiranës t’i japin fund shkatërrimit dhe betonit në qytetin e Tiranës, babëzisë dhe vjedhjes së mbuluar më ngjyra të bukura nga simboli i ri i korrupsionit të Tiranës, Erjon Veliaj”, përfundoi Spaho.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë