Politike

Këshilli, nis protesta në Shkodër, PS zhvendos mbledhjen nga rektorati

Demokratët kanë nisur të grumbullohet përpara prefekturës së Shkodrës, duke nisur kështu protestën e paralajmëruar kundër konstituimit të këshillit të bashkiak të këtij qyteti. Në protestën e sot mësohet se ndodhet sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, si dhe shumë prej ish-deputetëve demokratë, jo vetëm të këtij qyteti.
Demokratët janë mbledhur përpara prefekturës për të nisur më pas protestën marshim drejt vendit ku do të zhvillohet mbledhja e konstituimit.
Kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës, Voltana Ademi ka shkuar në zyrë dhe po vijon punën si ditët e tjera, ndërsa më pas pritet t'i bashkohet protestës së PD.
Dega e PS-së, siç mëson Gazeta Si, në mbledhjen e djeshme ka vendosur që ta zhvendosë mbledhjen duke mos e realizuar te salla e rektoratit të universitetit “Luigj Gurakuqi”, por në godinën afër saj, te Biblioteka e qytetit.
Godina e Bibliotekës është rrethuar nga forca të shumta të policisë, duke krijuar një kordon rrethues në një perimetër të gjerë.
Marrja e një vendimi të tillë ka ardhur për shkak të reagimit të fortë të bërë nga ana e Partisë Demokratike në Shkodër, që e ka cilësuar si një provokim mbledhjen në godinën e universitetit, e cila në kohën e regjimit komunist ka qenë Komiteti i Partisë së Punës, e gjatë protestës së 2 prillit 1991 u vranë katër dëshmorët e demokracisë.
Ky është ndryshimi i dytë që bëhet për konstituimin e Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Konstituimi i këtij këshilli ishte planifikuar që të mbahej në datën 21 gusht, një ditë pasi përfundon me ligj mandati i kryetares aktuale, Voltana Ademi.
Partia Socialiste e afroi me dy ditë datën e konstituimit, vendim i cili erdhi pas tërheqjes nga marrja e detyrës të kandidatit fitues, Valdrin Pjetri. Ky i fundit rezultoi se kishte qenë i dënuar në Itali me burg për drogë në vitin 2003, por nuk e kishte deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. PD-ja publikoi dokumentet që vërtetonin vendimin e autoriteteve italiane, teksa fshehjen e dënimit, kreu i qeverisë e ka konsideruar një akt të patolerueshëm dhe njoftoi se deri sa të zbardhet e vërteta ligjore, PS dhe Pjetri i kanë rrugët e ndara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë