Politike

Këshilli i Mandateve vijon mbledhjen të mërkurën, Bardhi: Avokatët kërkuan kohë, thanë se Ahmetaj ndodhet jashtë  

Mbledhja e Këshillit të Mandateve u mbyll të martën pa rezultat.

Takimi u shty për të mërkurën në orën 16.00, me kërkesë të dy avokatëve të Arben Ahmetajt për tu njohur më shumë me kërkesën.

Gjatë mbledhjes, avokatët kanë pranuar se Arben Ahmetaj ndodhet jashtë, por nuk saktësuan më tej se kur është larguar dhe ku.  

Deputeti i PD-së Gazment Bardhi tha pas mbledhjes se  mazhoranca po i jep kohë Arben Ahmetajt që të fshihet nga drejtësia.

Ne foto: Gazment Bardhi duke folur nga kryesia

“Ai nuk ka ikur për tu arratisur por nuk dinin se ku kishte ikur dhe ku ndodhej në këtë moment. Mazhoranca vendosi që ti japë kohë dhe u vendos që të shtyjë seanca për ditën e nesërme. Duke i dhënë kohë në këtë mënyrë që autorizimi të jepet për javën që vjen. Kjo është një ndihmë që mazhoranca po i jep Ahmetajt për tu fshehur nga drejtësia. Duhet të kishte lejuar prokurorinë ti jepte autorizimin gjykatës më pas është gjykata nëse duhet arrestuar apo jo. Kam pyetur SPAK se ku ndodhet në Shqipëri apo Kanada nuk kam marrë përgjigje. E rëndësishme është që informacioni u konfirmua nga avokatët e tij. Nesër do të dëgjojmë pretendimet e avokatëve të Ahmetajt”  tha Bardhi.

Më herët, Këshilli i Mandatave u ndërpre vetëm njëherë pasi opozita kërkoi mbledhje me dyer të hapura për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Arben Ahmetaj e për pasojë heqjen e imunitetit të tij.

Mbledhja vijoi më pas me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor, një kërkesë kjo edhe e SPAK, por Gazment Bardhi ka pyetur më pas prokurorët se ku ndodhet Ahmetaj.

Në mbledhjen e Këshillit u panë të futen me dosje voluminoze në dorë vetëm dy avokatët e tij.   

“A keni informacion se ku ndodhet Ahmetaj në këtë moment, është në Shqipëri: Mos ka ikur në Kanada? Keni informacion për ketë?” pyeti Bardhi prokurorët e SPAK.

Nuk dihet përgjigja e prokurorëve të SPAK.

“Mazhoranca ka frikë që shqiptarët të mësojnë të vërtetën për inceneratorët! Mazhoranca po ndihmon Ahmetaj që të arratiset dhe SPAK mos ta kapë atë!”, është shprehur më tej Bardhi

Ai kishte një pakenaqësi edhe për Ermonela Felajn që drejtonte mbledhjen se është në konflikt interesi pasi edhe emri i saj është në dosjen e inceneratorëve.

Mediat në vend kanë raportuar se qysh prej fundjavës Arben Ahmetaj nuk ndodhet në Shqipëri. Askush nuk e di vendndodhjen e tij jashtë dhe as përgjigjen nëse do të kthehet në Tiranë.

Deri tani, duket se procesi ndaj tij do të vijojë vetëm me praninë e avokatëve


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë