Politike

Këshilli i Ambasadorëve, kundër reformës së ministrit Cakaj

Pas reformës në Shërbimin Diplomatik të iniciuar dhe të njoftuar nga ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj kanë reaguar ashpër ambasadorët shqiptarë.

Në një deklaratë të Këshillit të Ambasadorëve duke iu referuar thirrjes publike të MEPJ për punësim pranë përfaqësive diplomatike të ekspertëve ekselentë, thuhet se Shërbimi Diplomatik ka nevojë të konsolidohet me diplomatë karriere, që i promovon dhe i mbron ligji dhe jo për prurje nga jashtë pa respektuar ligjin.

Sipas Këshillit të Ambasadorëve, vetëm eksperienca, vlerësimet në punë dhe karriera në Shërbimin e Jashtëm janë kriteret themelore që duhen marrë në konsideratë. Ndaj ky këshill kërkon zbatimin e ligjit për shërbimin e jashtëm dhe rregullores.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, i shqetësuar, i bën thirrje MEPJ të respektojë ligjin në fuqi, si dhe të fillojë procedurat për ta riparë këtë ligj, me qëllim shkëputjen një herë e përgjithmonë nga emërimet që jo vetëm nuk e përmirësojnë por e dëmtojnë trupën tonë diplomatike, - thuhet në deklaratë. - Në asnjë mënyrë, rastet përjashtimore dhe të veçanta që ligji parashikon, në pikën 3 të nenit 31 (Ministri i Punëve të Jashtme mund të emërojë në misionet diplomatike dhe postet konsullore, në raste të veçanta, ekspertë jashtë Shërbimit të Jashtëm, të cilët zotërojnë njohuri dhe ekspertizë, sipas specifikave të pozicionit të emërimit), nuk mund e nuk duhet të kthehen në përgjithësim”.

Këshilli i Ambasadorëve thekson se zbatimi i këtij parimi do të dëmtonte më tej Shërbimin e Jashtëm shqiptar dhe do të “demotivonte të gjithë trupën diplomatike të karrierës, që kanë hyrë në shërbimin e jashtëm duke respektuar kuadrin ligjor”.

Në vijim të deklaratës, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë sugjeron hartimin e një platforme me specialistë të fushës dhe konsensus politik, me qëllim që Shërbimi i Jashtëm të ketë përfaqësimin dhe fleksibilitetin e duhur brenda dhe jashtë Shqipërisë, sipas saj, në funksion të interesit më të mirë kombëtar dhe prioriteteve të politikës sonë të jashtme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë