Futboll

“Kërkojini falje Gatuzos!”, tifozët e Milanit kryqëzojnë klubin

“Nga shiu në breshër”. Milani po shkon keq e më keq. Vendi i 12-të, me 10 pikë. Një skuadër që duket se do të luftojë për mbijetesë, sepse për Kupat e Europës nuk bëhet fjalë. Të paktën për momentin. Ndryshimi i trajnerit nuk ka pasur asnjë efekt. Me ardhjen e Stefano Piolit, i cili zuri vendin e Marko Xhampaolos, Milani ka marrë vetëm 1 pikë në 2 ndeshje. Barazim me Leçen në shtëpi dhe humbje me Romën në transfertë.

Kjo situatë e rëndë i ka bërë tifozët e Milanit të shpërthejnë në kritika dhe akuza ndaj drejtuesve aktualë të klubit kuqezi. Pas humbjes me Romën ata kanë vënë në shënjestër një “flamur” të Milanit, si Paolo Maldini, por edhe Zvonimir Boban, të cilët kishin premtuar se do ta ringrinin klubin në nivelin e mëparshëm. Komentet në rrjetet sociale kanë qenë ironike dhe një foto shumë përhapur ishte ajo e trajnerit Pioli në versionin Santa Klaus. “Krishtlindjet dhe Viti i Ri janë ende larg, por ne që tani kemi filluar të bëjmë dhurata”, - shkruanin tifozët milanistë.

Shumë të tjerë, duke e vlerësuar kohën kur Milani drejtohej nga Gatuzo si më të mirën në këto vite të fundit, kanë kërkuar nga drejtuesit aktualë t’i kërkojnë falje publike këtij trajneri. Milani ka ndërruar shumë trajnerë, por sërish ka mbetur larg asaj që presin tifozët. Nuk ka dyshim që gjithçka vjen për shkak të gjendjes financiare dhe drejtimit të dobët të klubit dhe jo për faj të trajnerëve. Kualiteti i skuadrës varet nga lojtarët që ka në përbërje, pastaj trajneri ka pjesën e vet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë