Drejtësia

Kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, GJKKO shtyn seancën për Berishën, avokati Gjokutaj: Skenar për djegien e mandatit

Gazeta Si - Shtyhet sërish seanca në GJKKO për revokimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, në hetim për aferën e privatizimit të klubit sportiv 'Parrizani" në Tiranë.

Seanca e radhës pritet që të mbahet të hënën e ardhshme, ndërsa avokati i Berishës, Genc Gjokutaj deklaroi për mediat se “skenari do të përsëritet”. Sipas tij, nuk janë paraqitur prokurorët dhe kjo gjë jo vetëm shkel ligjin, por edhe etikën.

“Është jo vetëm ligjore, por anti-etike që dy prokurorë mos të paraqiten për revokim të masës së arrestit për liderin e opozitës zotin Sali Berisha. Shhikoni se para argumenteve tona që janë të mbështetura ligjërisht si në akte kombëtare ashtu dhe ndërkombëtare, mungesa e prokurorëve duhet t’ju tërheqë vëmendjen, investigojeni këtë rast".

Ai i bëri thirrje drejtuesit të SPAK Altin Dumani që ta shohë me kujdes rastin, e po ashtu mediave.

"I bëj thirrje edhe drejtuesit të SPAK-ut që së paku të interesohet për këtë mungesë. Ne jemi koshientë që kjo është pjesë e skenarit të GJKKO-së për shtyrjen e seancës, djegien e mandatit të zotit Berisha. Është lënë në datën 8 ora 13:00, në datën 9 në Gjykatë të Lartë. Të jeni të sigurt që as të hënën kjo seancë nuk do të zhvillohet pa mbaruar seanca në Gjykatën e Lartë. Këtu besoj e shikoni që ka një strukturë, një plan të strukturuar”, deklaroi Gjokutaj para SPAK.

Kjo është e disata herë që shtyhet seanca për Berishën, i cili ndodhet në “arrest shtëpie” që prej 30 dhjetorit të shkuar, ashtu si dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi nën hetim për korrupsion sa i takon aferës me ish-klubin “Partizani”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë