Politike

Mbledhja kundër Bashës/ Açka e thërret në seancë dëgjimore, Bardhi: I jap llogari Këshillit Kombëtar, nuk tërhiqem

Komisioni i Apelimit, Integritetit dhe Etikës pranë PD i ka dërguar një email Gazment Bardhit ku e njofton për një seancë dëgjimore me të lidhur me vendimin e tij si Sekretar i Përgjithshëm për të mbledhur të enjten online Këshillin Kombëtar.

Komisioni i Apelimit i drejtuar nga Flutura Açka ka kërkuar ballafaqim mes të dërguarit të kryesisë që ka rrëzuar vendimin e Bardhit si jo në përputhje me statutin, Indrit Sefa  dhe vetë deputetin e PD në një ballafaqim faktesh.

Flutura Açka i ka ftuar të dy mbasdite në një mbledhje të vonë për të vendosur në fund komisioni se cilat janë hapat që do të ndërmerren edhe pse e gjitha kjo është krejt një formalitet sa kohë që anëtarë të komisionit të Apelimit janë edhe anëtarë mbështetës të Lulzim Bashës që marrin pjesë edhe në kryesi.

I gjithë ky proces i tejzgjatur me ballafaqime rregulloresh që vetëm ata i dinë, sa duket po i paraprin një tjetër procesi që zgjedhja e kryetarit të ri të PD-së mund të përfundojë në dyer gjykatash, dhe në këtë rast jo nga pala e Berishës por nga një tjetër palë që ndodhet brenda vetë PD-së zyrtare.

Më vonë, Gazment Bardhi doli në një konference për shtyp, ku njoftoi se do të mbledhë online Këshillin Kombëtar.

“Në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm kam njoftuar thirrjen e mbledhjes së këshillit kombëtar. Menjëherë sapo është bërë publik ky njoftim afër mesnatës jam njohur me një deklaratë që dilte në emër të kryesisë, që ngjante me një fletërrufe të Byrosë politike që shpallet armik dhe baltoste Sekretarin e Përgjithshëm të partisë vetëm se kishte zbatuar statutin.

Personalisht por edhe pjesa dërmuese e kolegëve që kanë qenë në betejë për tu ndarë nga mendësia se kush nuk mendon si unë është armiku im, e kemi besuar që kemi bërë, zhgënjim për pjesën e kolegëve që tjetër gjë kanë thënë në një vit e gjysmë dhe tjetër gjë bëjnë”, tha Bardhi.

“Sot s’jam për të komunikuar me ta por me anëtarët e PD dhe mbi 50 mijë të tjerë sepse nuk mendojnë si Lulzim Basha. Në cilësinë time si Sekretar kam dhe do të zbatoj vetëm statutin e PD. Qëndrimi im ka qenë i njëjtë 1 vit e gjysmë më parë kur Berisha ndoqi këtë rrugë dhe sot që Basha po ndjek të njëjtën rrugë. Mbledhja e Këshillit Kombëtar është kompetencë ekskluzive e Sekretarit të Përgjithshëm. Meqë ka pasur pretendime dhe për mbledhjen, dua t’iu kujtoj se PD s’ka lindur sot, por ka zhvilluar disa mbledhje online duke i kujtuar kolegëve edhe mbledhjen për miratimin e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit. Nuk ka asnjë rregull në statut, që mbledhja do të bëhet në sallën ku duan anëtarët e partisë.

Deklarata e kopjuar nga Berisha, akuzonte Sekretarin e Përgjithshëm se po bën manorva për t’i shërbyer Berishës, Metës e Ramës. Se kush i shërben këtyre, opinioni publik mund ta shohë me fakte. Nëse do të bëja manovra do të mbylla sytë në këtë moment delikat ku disa me halle të vjetra kanë vendosur të hedhin në erë partinë me trakte të byrosë politike” tha Bardhi.

Bardhi tha se Kryesia e PD ka zvogëluar listën e anëtarëve të PD nga 450 në 300 pa asnjë proces statutor.

“Jam njohur me një kërkesë të komisionit të etikës, që nuk ekziston në PD, që do duhet të shkoj për të dhënë llogari për vendimet e mia. Llogari sekretari i përgjithshëm i jep vetëm këshillit kombëtar të PD që mblidhet nesër dhe ftoj çdo koleg të marrë pjesë në mbledhjen legjitime. Sekretari i përgjithshëm akuzohet në fletërrufenë e byrosë politike se po mbledh gjoja atë që pretendohet se është këshilli kombëtar në përbërje të së cilës ka formacione që kanë bërë fushatë elektorale. Unë nuk i ndaj anëtarët e këshillit sipas qëndrimit që ata mbajtën pro ose kundër Bashës. Jam njohur dhe jam shqetësuar me një listë të bërë publike jashtë dijenisë të sekretarit të përgjithshëm, ku lista pa asnjë proces statutor, nga 450 anëtarë është zbritur në rreth 300 anëtarë. Pretendimi që kanë dhënë kolegët është se pjesa që është hequr nga lista kanë qenë të angazhuar në fushatë për një formacion tjetër politik”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë