Drejtësia

Kërkoi azil, por Igor Kukonov do të ekstradohet, Gjykata e Shkodrës pranon kërkesën e Rusisë

Gazeta Si - Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka pranuar kërkesën e Rusisë  për ekstradimin e shtetasit të saj, Igor Kokunov.

Vendimi është dhënë këtë të martë dhe tashmë do të nisin procedurat e ekstradimit të tij drejt Rusisë.

Ai akuzohet për veprën penale të marrjes së detyrave në hierarkinë e lartë të strukturave kriminale në Rusi.

Mbrojtja deklaroi se shkresa për ekstradim është firmosur nga zëvendës prokurori i përgjithshëm i Rusisë dhe jo nga prokurori apo ministri i Drejtësisë së Rusisë dhe kjo bie ndesh me Konventën Ndërkombëtare.

Ndërkohë, rusi kërkoi azil politik në Shqipëri, me pretendimin se në Rusi i rrezikohet jeta, por gjykata vendosi për ekstradim.

I dyshuar si drejtues i një grupi të fuqishëm kriminal, 59-vjeçari u arrestua me 28 gusht në pikën kufitare të Muriqanit.

Ai rezulton i kërkuar nga Interpoli, pasi është dënuar me 15 vite burg për vepra të ndryshme penale, pasi akuzohet për disa vrasje në Rusi, ndërsa cilësohet edhe si koka e grupeve kriminale në Beograd.

Bosi i krimit Igor Kokunov, i njohur gjithashtu me nofkën “Vasya Bandit”, u arratis më 22 shkurt të vitit 2022 nga “arresti shtëpiak” në pritje të gjykimit.

Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore në fillim të muajit shtator, Igor Kokunov, ka pranuar se ka probleme me drejtësinë në Moskë, por sips tij, proceset penale janë stimuluar për shkak të marrëdhënies jo të mirë që ka ai me regjimin e presidentit Vladimir Putin.

59-vjeçari, ka pretenduar se donte të hynte në territorin shqiptar për qëllime turistike dhe se nuk kishte asnjë dijeni se ndaj tij ishte lëshuar një mandat arresti nga Gjykata e Moskës.

Autoritetet ruse e akuzojnë edhe për krime të tilla si rrëmbimi, zhvatja, grabitja, mashtrimi dhe organizimi i biznesit të paligjshëm.

Ashtu si në seancën e kaluar, edhe këtë të martë, Policia e Shkodrës ka bllokuar rrugën e gjykatës deri në përfundimin e seancës gjyqësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë