Drejtësia

SPAK kërkon ‘arrest shtëpie’ me polici te dera, GJKKO shtyn për nesër vendimin për Berishën. Mbrojtja do përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka

Gazeta Si - GJKKO ka vendosur të shtyjë për nesër në orën 11:00 vendimin për ashpërsimin ose jo të masës së sigurisë ndaj ish-kryemistrit Sali Berisha, nën hetim për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.

Në kërkesën e prezantuar këtë të martë në gjykatë, SPAK ka kërkuar "arrest shtëpie" për Berishën me mbikëqyrje të punonjësve të Policisë së Shtetit në banesë.

Ndërsa shkak për shtyrjen e vendimit, është bërë kërkesa e mbrojtjes së Berishës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, pasi pretendojnë për njëanshmëri nga ana e saj në procesin në ngarkim të ish-kryeministrit.

Avokatët e Berishës kanë dorëzuar provat që sipas tyre faktojnë faktin e shkarkimit të gjyqtares Irena Gjoka në shkurt të vitit 1996 nga KLD, ku kryetar ishte Sali Berisha.

Ish-kryeministri nuk u paraqit në Gjykatën e Posaçme, por dërgoi dy avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, të cilët kërkuan përjashtimin e gjyqtares, që e akuzojnë për njëanshmëri.

Seanca u drejtua nga gjyqtarja Gjoka, e cila shqyrtoi kërkesën e SPAK-ut që kërkon ashpërsimin e masës së sigurisë; nga detyrim paraqitje dhe mosdalje jashtë vendit në "arrest shtëpie".

Berisha nuk e ka njohur vendimin e gjykatës që të paraqitej të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji duke argumentuar se vendimi është antikushtetues, pasi nuk ishte ndjekur rruga parlamentare.

Kërkesa e SPAK u dorëzua në Gjykatën e Posaçme pasi Kuvendi i dha autorizimin Prokurorisë Anti-Korrupsion pas heqjes së imunitetit të deputetit të Sali Berishës.

Në këtë vendim pritej të sqarohej, po ashtu dhe se në cilin ambient do të qëndrojë Berisha, i cili përgjatë këtyre ditëve ka theksuar se do të vijojë të drejtojë opozitën.

Nga ana tjetër, për hetimin e dosjes “Partizani”, akuza ka bërë edhe një tjetër hap, duke kërkuar në Gjykatën e Lartë rikthimin në qeli për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Berishës, në hetim edhe ai për dosjen "Partizani".

Malltezi u la në 20 nëntor në masën e “arrestit në shtëpi”, duke dalë nga qelia me vendim të Gjykatës së Apelit. Por një vendim i tillë ka lënë të pakënaqur Prokurorinë e Posaçme, e cila ka bërë rekurs për rikthimin e tij në burg.

Po ashtu, të premten e 22 dhjetorit, Gjykata e Apelit rrëzoi avokatët e dhëndrit të Berishës për kthimin e telefonëve të sekuestruar. Duke i konsideruar si objekte të vlefshme për hetimin, aparati do të mbetet i bllokuar nga prokuroria.

Berisha akuzohet për korrupsion pasiv për çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë