Futboll

Kërcënohet Antonio Conte, zarf me plumb trajnerit të Interit

Antonio Conte, trajneri i Interit është marrë në mbrojtje nga policia pas një kërcënimi që ka mbërritur në adresë të banesës së tij. Mediat italiane raportojnë se trajneri zikaltër ka marrë me postë një zarf, brenda të cilës ndodhej një letër anonime e shoqëruar nga një plumb.

Përmbajtja e letrës ende nuk dihet. Vetë Conte ka denoncuar menjëherë rastin në polici, që ka marrë në mbrojtje si banesën e tij, ashtu edhe zyrat e klubit ku punon tekniku, ndërkohë që për rastin në fjalë është hapur një hetim, megjithëse mundësitë që të bëhet fjalë për një kërcënim joserioz për jetën e trajnerit janë të mëdha.

Aktualisht, autoritetet nuk mund të japin as zyrtarisht dhe as jozyrtarisht ndonjë pistë se ku po hetohet. Ajo që dihet është se emërimi i Antonio Contes si trajner i Interit dhe Beppe Marottas si drejtor i klubit shkaktuan jo pak polemika në Milano dhe Torino.

Dy ish-drejtuesit akuzohen si “tradhtarë” nga një pjesë e tifozerisë juventine, ndërsa një pjesë e tifozerisë së Interit i akuzon si “të infiltruar” për të shkatërruar skuadrën e tyre të zemrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë