Futboll

Kërcënimi/ Arbitrit Juxhin Xhaja i shkuan në shtëpi, prindërit u terrorizuan

Gazeta Si – Gjithë vëmendjen e fundjavës që shkoi në futbollin shqiptar e mori kërcënimi i arbitrave të ndeshjes Kastrioti-Bylis, që nuk u luajt. Pas denoncimit të arbitrit Juxhin Xhaja, i cili mban stemën e FIFA-s, FSHF bëri të ditur me një deklaratë se çështja po hetohet.

Që nga ai moment nuk ka më qëndrime zyrtare, përveç atij të klubit krutan, që mbështeste hetimin.
Kërcënimi i arbitrave të futbollit nuk ishte diçka e re, por këtë herë situata ka shkuar deri në kërcënim edhe të familjarëve të arbitrit. Nga informacionet e fundit, jo në rrugë zyrtare, është mësuar se dy persona kanë shkuar në shtëpinë e arbitrit Juxhin Xhaja, pasi ky i fundit nuk përgjigjej në telefon.

Prindërit e arbitrit janë terrorizuar nga kjo situatë. Xhaja nuk mundi ta merrte përsipër gjykimin e ndeshjes dhe FSHF u vu në vështirësi të madhe, sepse askush tjetër nuk mund ta bënte. Në këtë moment u zbulua edhe se arbitrat e ndeshjes së mëparshme të Kastriotit, asaj me Laçin, kishin gjykuar nën presion. Po tani, çfarë do të ndodhë?

Shoqata e Arbitrave Shqiptarë nuk ka mbajtur qëndrim zyrtar. Kreu i saj, Tahir Kastrati, ka pohuar se ngjarja është e rëndë dhe se po ndiqet nga organet kompetente. Por nuk mbaron këtu. Kërcënime, gjithmonë sipas informacioneve jo zyrtare, kanë marrë edhe drejtues të lartë të FSHF-së.

Institucioni që drejton futbollin shqiptar ka në dorë ta përjashtojë Kastriotin, ndërsa në një vend normal shoqata e arbitrave do ta bojkotonte kampionatin menjëherë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë