Politike

“Kërcënimet e Metës”, Balla: Si “Dhelpra me Rrushtë”, turp sulmi ndaj diplomatëve

Mazhoranca ka reaguar ndaj qëndrimeve të presidentit Ilir Meta se nëse populli do ia kërkonte shpërndarjen e Parlamentit do të nxirrte dekretin. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka ironizuar kërcënimet e presidentit, duke i kujtuar se njerëzit mund të lexojnë përallën “Dhelpra me rrushtë”. “Besoj se e keni dëgjuar për përallën, kështu që komentet i keni aty dhe unë nuk jap asnjë koment, përkundrejt një presidenti që ka humbur çdo lloj sjellje kushtetuese e normale për të vijuar për të qenë president i Republikës”, deklaroi Balla.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së gjithashtu ka dënuar qëndrimet që presidenti Meta mbajti një ditë më parë kundër diplomatëve të SHBA-së dhe BE-së. “Gjithçka që ka artikuluar këto ditë besoj se është më e rënda është ndaj ambasadorëve të akredituar në Republikën e Shqipërisë. Kjo lloj sjellje brutale me kërcënimet me paketime nuk ka të bëjë fare me zakonin e shqiptarëve, ne jemi mikpritës dhe jemi aleatë të SHBA dhe këto janë referenca themelore të politikës sonë të jashtme. Presidenti problemet e tjera të opozitës t’i zgjidhe brenda opozitës pa zhurmë, dhe se ky është një vit i rëndësishëm i rindërtimit, thellimi i mëtejshëm reformave dhe i çdo lloj mbështetjeje që ka rëndësi për negociatat. Jemi të gatshëm të bisedojmë, por për hallet e tjera të lidershipit të opozitës”, theksoi Balla. Kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla tha sot se thirrja e Presidentit për tubimin e datës 2 mars është shprehje e një konflikti të brendshëm të opozitës që siç tha deputeti socialist, po zhvillohet mes Lulzim Bashës dhe Ilir Metës për lidershipin e opozitës.

Reagimi i presidencës ndaj Ballës
Pas këtyre akuzave të kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla ka ardhur edhe reagimi i presidencës nëpërmjet zëdhënësit, Tedi Blushi, që thekson se Meta i ka respektuar gjithmonë ambasadorët. “Ju i falsifikoni dhe thoni na thanë ambasadorët!
Presidenti Meta i ka respektuar dhe i respekton denjësisht të gjithë ambasadorët që kanë integritet dhe përfaqësojnë me dinjitet vendet dhe organizatat e tyre, si dhe vlerat e liritë demokratike. Presidenti Meta në veprimet e tij institucionale kurrë nuk keqpërdor asnjë ambasador dhe diplomat të huaj, por i referohet vetëm Kushtetutës, si ligjit më suprem në Republikën e Shqipërisë. Ndryshimet e fundit kushtetuese janë miratuar me 140 vota sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe mbështetjen e SHBA/BE. Ja provat e fundit si i shpërdoroni ju me pacipësi partnerët tanë të nderuar”, shkruan zëdhënësi Blushi, i cili boton dy postimet ministrave Gjonaj dhe Spiropali.

https://www.facebook.com/blushited/posts/10158021142937760

“I dashur Tao Tao, Ti je shumë i zënë me punët e Kongresit që po afron dhe s'ke patur kohë të lexosh deklaratat e shoqes Etilda dhe shoqes Spiropali, pas miratimit të ligjit anti-kushtetues të betimit të gjyqtarëve buzë Lanës, me pretendimin absurd se kanë marrë miratimin e SHBA/BE. Ju po vazhdoni t'i keqpërdorni ambasadorët dhe të fshihni të vërtetën e grushtit të shtetit. Si mund të thonë ambasadorët të shkelet Kushtetuta?! Ju e shkelni e thoni na thanë ambasadat! Si mund të thonë ambasadorët që të vidhet anëtari i Gjykatës Kushtetuese?! Ju e vidhni dhe thoni na thanë ambasadorët! Si mund të thonë ambasadorët falsifikoni në dobi të kapjes së shtetit, siç u kap në flagrancë shoqja Etilda?!”, shton Blushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë