Ne rrjet

Keqmenaxhim i vaksinave, kërkohet dorëheqja e Komisioneres së BE për Shëndetësinë

Komisioni Europian thotë se ka besim të plotë tek Komisionerja e Shëndetësisë, Stella Kyriakides, që nga një pjesë e eurodeputetëve akuzohet se ka keqmenaxhuar vaksinat me pasojë “shkëputjen” e disa vendeve anëtare nga direktiva e KE për fushatë të koordinuar vaksinimi.

Kyriakides fajësohet për mungesë transparence në nënshkrimin e kontratave me kompanitë prodhuese të vaksinave dhe për klasifikimin e tyre si sekret, duke refuzuar që këto marrëveshje të vihen në dijeni të Parlamentit Europian.

“Këto marrëveshje kanë provokuar një reagim të fortë mediatik, publik e politik mbi kushtet që përcaktojnë, kushte që kanë penalizuar rëndë vendet anëtare të Bashkimit Europian, që tani ee kanë të pamundur të trajtojnë me efektivitet fushatën e vaksinimit”, thotë eurodeputeti italian, Vicenzo Sofo.

Vicenzo Sofo, eurodeputet i “Lega Nord” të Mateo Salvinit thotë se Kyriakides është fajtore gjithashtu edhe për mosshpërndarjen e barabartë të vaksinave në vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Për të gjitha këto arsye, Sofo dhe eurodeputetë të tjerë të së djathtës eksteme kërkojnë që Komisioni të shqyrtojë mundësinë e largimit të Komisioneres Kyriakides dhe emërimin në këtë post të një personi tjetër, sipas tyre, më të aftë për të menaxhuar situatën.

Sipas eurodeputetëve, problematika u shtua edhe me lejimin e disa vendeve anëtare që të nënshkruajnë marrëveshje individuale me kompanitë prodhuese të vaksinave, duke minuar besueshmërinë e institucioneve të BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë