Futboll

Keq e më keq për Hysajn, Strakosha thellon rekordin pozitiv

Elseid Hysaj, kapiteni i Kombëtares shqiptare, po luan titullar javët e fundit me Napolin, por paraqitja e këtij ekipi lë shumë për të dëshuar, rrjedhimisht edhe ajo e mbrojtësit shkodran. Napoli po ecën më keq se një ekip që lufton për mbijetesë pas largimit të Ançelotit dhe ardhjes së Gatuzos. Madje, shtypi italian aludon se presidenti De Laurentis ka qenë gati ta shkarkojë edhe Gatuzon, i cili ka vetëm 1 fitore dhe 4 humbje në 5 ndeshje.

Në ndeshjen e fundit me Fiorentinën, Napoli u mund në fushën e tij 0-2 dhe kriza vazhdon të bëhet edhe më e thellë. Kuptohet lehtë që problemi nuk ka qenë trajneri Ançeloti, përkundrazi, duket se ai e ka mbajtur skuadrën në “shina”. Hysaj ishte titullar, por vlerësimi për të, ashtu si dhe për gjithë skuadrën, është mjaft i ulët. Mbrojtësi i krahut të djathtë është vlerësuar me notën 5. “Nga krahu i tij vijnë problemet më të mëdha, ndërsa në fazën sulmuese nuk arrin të bëjë diferencën”. Ky është vlerësimi për Hysajn, i cili po përjeton një nga sezonet më të vështira me Napolin, që mban vendin e 12-të pas 20 javësh kampionat me 24 pikë.

Nga ndeshja Napoli-Fiorentina, 0-2. Gazeta Si, 19 janar 2020

Krejt e kundër është situata te Lacio e Igli Tares dhe Tomas Strakoshës. Ndaj Sampdorias Lacio regjistroi fitoren e 11-të radhazi në kampionat, duke thelluar tashmë rekordin e vet. Një ecuri e jashtëzakonshme për këtë skuadër, që pa frikë mund të llogaritet si pretendente për të fituar titullin kampion. Strakosha, titullar i padiskutueshëm në portë, ishte thuajse spektator në fitoren 5-1 të Lacios. Nuk kishte çfarë të bënte në golin e Lineti, ndërsa gjatë pjesës së parë të ndeshjes ai reagoi bukur në disa përpjekje të dëshpëruara të Sampdorias. Lacio mban vendin e tretë në kampionat, me 45 pikë, 1 më pak se Interi dhe 3 më pak se Juventusi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë