Muzike

Këngëtarja Adele rrëfehet për albumin e ri “30” dhe sulmet e saj të ankthit

“Kam qenë e fiksuar me idenë e një familjeje të zakonshme gjatë gjithë jetës sime, sepse nuk e kisha një të tillë. Që në moshë të vogël i kisha premtuar vetes që kur të kisha fëmijë, do të rrinim bashkë. Dhe u përpoqa, për një kohë vërtet të gjatë”. Ajo u përball me ndjenjën e fajit pas divorcit. Ylli i popit Adele, në fund të martesës arriti të bëjë edhe albumin e ri “30”, që do të lançohet të premten më 19 nëntor. Këngët nuk mjaftuan për të treguar në thellësi atë që ka kaluar. Për të mbledhur rrëfimet e saj, mendoi për këtë mbretëresha e talkshow-ve, Oprah Winfrey, në intervistën e parë televizive për albumin e ri të publikuar nga ylli britanik i popit, të transmetuar të dielën mbrëma në Shtetet e Bashkuara në CBS.

Divorci me Simon Konecki

Në specialen dy-orëshe, Adele preku shumë tema personale, duke filluar nga ndarja nga i shoqi Simon Konecki në vitin 2018, në të njëjtin vit me dasmën e saj, e cila mbërriti pas tetë vitesh lidhje: ylli, 33-vjeçar shpjegoi se ishte ndier në siklet nga divorci.

“Unë e marr martesën shumë seriozisht dhe pothuajse më duket sikur nuk e kam respektuar duke u martuar dhe më pas duke u divorcuar kaq shpejt”, tha ajo. Një periudhë e vështirë që i shkaktoi “krizat e tmerrshme të ankthit”, pas së cilës vendosi të merrej rregullisht me aktivitet fizik, duke humbur gati 45 kilogramë në dy vjet. Këngëtarja megjithatë shtoi se është në marrëdhënie të mira me Koneckin, se vazhdon të rrisë me të djalin e saj Anxhelo, 9-vjeçar dhe nënvizoi se si ai “i shpëtoi jetën” kur ajo u bë e famshme, duke rrezikuar të “dërrmohej” nga një sukses kaq i papritur.

Dobësimi

Humbja e saj në peshë, natyrisht, ishte edhe fokusi i intervistës, pasi u bë objekt i një debati të madh në internet: këngëtarja shpjegoi se ushtrimet fizike përdoreshin kryesisht për të kontrolluar ankthin e saj dhe se për këtë filloi të stërvitej çdo ditë: “Më ndihmoi vërtet të përmirësohesha mendërisht”.

Nga kritikat që dolën në internet kur tregoi transformimin e saj, ajo nuk u habit: “Nuk jam e tronditur apo e mërzitur sepse trupi im është objektivizuar gjatë gjithë karrierës. Unë jam gjithmonë shumë e shëndoshë ose shumë e dobët. Jam e bukur ose nuk jam. Më vjen keq që dikush mund të jetë ndjerë keq me veten duke parë ndryshimin tim, por të qetësoj njerëzit se si ndihen për trupin e tyre nuk është puna ime.

Marrëdhënia me babain

Gjatë dy orëve, Adele këndoi gjithashtu këngë të vjetra dhe të reja, duke performuar për herë të parë para djalit të saj në Los Anxhelos. E intervistuar në të njëjtin kopsht ku Oprah Winfrey priti edhe Meghan Markle dhe Princin Harry, këngëtarja foli edhe për marrëdhënien e vështirë me të atin. “Plaga më e madhe” e pësuar në fëmijëri, tha ajo, ishte mungesa totale e prindit: “Nuk prisja kurrë asgjë nga askush sepse kështu mësova të bëja nga marrëdhënia me babain. Ai ishte arsyeja pse unë nuk arrita atë që është një marrëdhënie ku ju e doni vërtet njëri-tjetrin”. Pas kaq vitesh të vështira në të cilat u ndërprenë marrëdhëniet me të atin, Adele më në fund u pajtua me të në tri vitet e fundit, pasi ai u sëmur. Para se të vdiste prillin e kaluar, ajo madje arriti t’i këndonte disa këngë nga albumi i ri përmes Zoom: “Ishte vërtet shumë, shumë terapeutike. Dhe kur vdiq, ishte sikur plaga të ishte shëruar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë