Muzike

“Kënga shkodrane” ëmbëlton shpirtrat e kryeqytetasve

… "kënga ka qenë në Shkodër jo vetëm përtëritje e shpirtit. Me anë të këngës zemrat e idhnume ëmbëltohen dhe shpirtrat e trazuem paqtohen…" kanë thënë të parët tanë.
Për të përtërirë muzikën që kanë në shpirt dhe gazmendin e tyre, shkodranët "zbritën" mbrëmjen e 21 korrikut në kryeqytet në natyrën e paqtë të amfiteatrit veror, duke na dhuruar perlat e muzikës qytetare.
Këngët e patëmeta popullore shkodrane me orkestrën e grupit të valleve të qytetit verior erdhën nga këngëtarët më ashik të Shkodrës në një koncert të quajtur "Kënga Shkodrane".
Tingujt e muzikës tradicionale të kujtonin ahengjet e dikurshme ku me detajet e tyre më të imëta sollën aromë tradite te publiku kryeqytetas.

Këngëtarët si Martina Serreqi, Selma Bekteshi, Xhuli Pjetraj, Klisman Llazani, Agim Molla, Fadil Keca, Gëzim Sala, Nimet Leka me meloditë e tyre të bukura skalitën dhe fizionominë e qytetit të lashtë.
Ata dëshmuan se muzika e tyre shumë e brishtë, elegante dhe delikate është ruajtur mjaft mirë.
Në këtë natë të kulturës shkodrane, u bashkuan edhe këngëtarë nga Gjakova e Kosovës dhe Ulqinit.
"Ishte një binjakëzim i tre qyteteve që e kanë ruajtur me fanatizëm, traditën dhe origjinalitetin e këngës qytetare shkodrane. Repertori i përket disa brezave, që tek kënga e vjetër, që ruhet sot e kësaj dite, në festat dhe gëzimet familjare deri tek këngët që kanë lënë gjurmë në skenat shqiptare", thotë për Gazetën "Si", udhëheqësi artistik, Andi Unaza.
Drejtori artistik thotë më tej se "E bukura e këtij koncerti ishte se këto këngë janë kënduar nga solistë të moshave të ndryshme".
Përpos këngëve shkodrane, jehuan në amfiteatër edhe tingujt kosovarë ku për të përshëndetur me një këngë të ikonës kosovare, Nexhmije Pagarusha ishte e pranishme këngëtarja Klodiana Brahimi me këngën "Baresha".
Nga Ulqini këngëtari Gëzim Sala së bashku me të bijën, Egzona Sala, studente për kanto në Akademinë e Arteve në Tiranë, sollën këngën shkodrane po me atë dendësi emocioni.
Për të përçuar këtë bagazh melodish e vlerash artistike, drejtori artistik premton se do të vazhdojë edhe edicioni i dytë.
Ky koncert që erdhi me logon "Nata shkodrane" u organizua nga agjencia “Buna 1” me producent Arben Mazi në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë