Muzike

“Kënga Magjike” e ka që sot një fituese

Nga Zefina Hasani - Ka një rregull të sajin, të përhershëm, që në krye të herës “Kënga Magjike”: fituesi del nga votimi, që këngëtarët pjesëmarrës bëjnë për njëri-tjetrin. Të shtunën do të bëhet shpallja, në natën finale. Në përfundim të dy gjysmëfinaleve që sapo janë transmetuar në Tv Klan, (të mërkurën dhe të enjten mbrëma), gara duket e bukur.

Ka zëra të mirë, këngëtarë të suksesshëm e të preferuar në treg, ka muzikë që tingëllon bukur, që s’të acaron nervat e shijen, ka performanca elegante e moderne, e mbi të gjitha ka dhe poezi të bukur (siç me shumë të drejtë Enkel Demi e përkufizoi, tekstin e një kënge), çka duhet vlerësuar edhe më shumë në këto kohë kur fjalët janë gjithnjë e më në rrezik që t’i marrë era, duke lënë në muzikën shqiptare (largqoftë) vetëm llumin.

Ardit Gjebrea arriti edhe këtë herë të sjellë një festival të mirë. Nuk e bëri dot pompoz në Pallatin e Kongreseve, prej pandemisë, por e shpëtoi duke e shndërruar në një reality show, siç është dhe moda, në fund të fundit, këto kohë.

Pretendentët për fitore janë të shumtë e me shumë pak diferencë nga njëri-tjetri. Kushdo që do ta fitojë atë festival, Alban Ramosaj apo Era Rusi, Flor Mumajesi & Klajdi Haruni apo Eneda Tarifa, Fifi & Bruno apo Soni Malaj, njësoj do të jetë. 

Dikush tjetër bën diferencën e madhe në këtë festival. Është njëra mes tyre, këngëtarëve. Që këtë herë s’është në garë, por është megjithatë në rrjedhën kryesore. Është njëra që tregoi se s’është aty, vetëm për të moderuar, por dhe për të kënduar e bërë spektakël të madh, me detaje fare të vogla, që i ngjizen aq bukur origjinalitetit e ndjeshmërisë, që ajo mbart me vete, duke na bërë të gjithëve magji, ndërsa endet nëpër skenë. Është ajo që na bëri të mendojmë se ndoshta është zgjedhja më e mençur që Ardit Gjebrea ka bërë në gjithë vitet e festivalit: duke i gjetur të gjithë elementët artistikë në një.

Prandaj, fituesja e kësaj “Kënge Magjike”, në të gjithë komponentët e saj, është pikërisht ajo, Marsela Çibukaj. Këngëtarja që u rrit para syve tanë, natyrshëm e dalëngadalë, që prej daljes së saj të parë në “The Voice of Albania” e mandej në gjithë shfaqjet e saj. Artistja që na ka zbuluar krahas zërit edhe humorin e saj të mençur, aftësinë për të komunikuar çlirët me këdo e kudo, pa komplekse e pa drojë. Pa ia mësuar askush, pa ia imponuar asnjë rrethanë, por sepse thjesht kështu e ndjen muzikën, artin, skenën, televizionin.

Me siguri do ta kishte gllabëruar edhe skenën e madhe të Pallatit të Kongreseve, në të tri netët e këtij festivali. Por ç’rëndësi ka... kur pas këtij triumfi mund të ketë pa diskutim edhe shumë të tjerë. Tashmë është fakt: Marsela Çibukaj është showgirl-i që mund t’i ofrojë gjithçka i duhet një formati televiziv e skenik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë