Politike

Berisha: Më 12 Maj, Rama do t’i bjerë tavolinës me kokë!

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD Sali Berisha e nisi fjalën e tij në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale të opozitës duke përshëndetur kancelarin e sapo zgjedhur të Gjermanisë, Merz.

Sipas tij, fitorja e PD-së do të shënojë një bashkëpunim të ngushtë me liderë të mëdhenj ndërkombëtarë.

Ai tha se Shqipëria do të rrisë ndjeshëm bashkëpunimin me qeverinë gjermane dhe do të eksportojë aty produktet shqiptare dhe jo krimin si sot, siç tha ai.

Berisha përmendi personalitetet që kishin mbështetur fushatën e PD-së, duke përfshirë deputetin gjerman Peter Beyer, lordin britanik Jackson dhe strategun amerikan Chris LaCivita, të cilët, sipas tij, kishin luajtur një rol të rëndësishëm në arritjen e kësaj fushate.

“Chris LaCivita, mirënjohje arkitektit dhe strategut të fitores së madhe të presidentit Donald Trump në SHBA. Mirënjohje për mbështetjen për rikthimin e PD-së dhe Berishës në pushtet. Emri juaj, ekspertiza juaj, u shndërrua me shpejtësi në eliksirin e kësaj fushate, në shpirtin e fitores së saj. Ditën e parë, në konferencën e shtypit, e shkallmove Edi Ramën, duke i rënë tavolinës me grushte, por të garantoj se nesër do i bjerë tavolinës me kokë.

Të falenderoj për vendimin që more për ta na ndihmuar ne dhe Shqipërinë. PD në pushtet garanton se do të rivendosë marrëdhëniet më të ngushta me administratën e Trump në të gjitha fushat”, vijoi ai.

Berisha iu drejtua qytetarëve duke i kërkuar votën për të realizuar ëndrrën shqiptare në Shqipëri.

“Të rinj dhe të reja, ju që votoni më 11 maj për herë të parë keni një fat të bardhë, po të gjithë ju të tjerët që shkoni më 11 maj, vota juaj ka peshën e jetës suaj, ka peshën e të ardhmes tuaj, të ëndrrës tuaj të bukur, në 100 ditë ne hedhim bazat që çdo i ri dhe e re të mendojë, të realizojë ëndrrën shqiptare në Shqipëri. Zotimi ynë është se dyfishohen fondet për arsimin, shkollat do të modernizohen me teknikat më të avancuara digjitale dhe asnjë fëmijë nuk do të mbetet analfabet”, tha Berisha.

Në fund të fjalimit të tij Berisha shprehu ndjesë edhe për gabimet që kishte bërë në qeverinë e tij ndaj ish të përndjekurve dhe të burgosurve politikë, që nuk morën të gjithë kompensimet që u takonin, duke premtuar se pas 11 majit do e realizonte përfundimisht.

Kreu i PD-së e mbylli fjalimin e tij me një angazhim për të ardhmen e Shqipërisë, duke shprehur besimin se nesër, pas zgjedhjeve, PD do të krijojë një qeveri që do të vendosë marrëdhënie të ngushta me administratën e presidentit Trump.

Ndërkohë Kryestrategu amerikan i fushatës së Partisë Demokratike, Chris LaCivita, nënvizoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vëmendjen ndërkombëtare.

“Pse të mos vendosni besimin tuaj te doktor Berisha, një mjek për të ardhmen tuaj, me një plan të vërtetë për të rregulluar ekonominë dhe për t’i dhënë fund korrupsionit?” – deklaroi LaCivita, duke e përshkruar Berishën si njeriun e duhur për drejtimin e vendit.

“Vij te ju si një amerikan që sheh një të ardhme të ndritur për një vend të madh dhe një popull të shkëlqyer. E gjithë bota po i sheh këto zgjedhje.”

LaCivita e mbylli fjalimin me një thirrje për pjesëmarrje masive në votime: “Votoni për të ardhmen tuaj. Ajo varet nga vota juaj. Faleminderit Shqipëri. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Fitore, Fitore, Fitore!”

Me besimin se do fitojnë edhe drejtuesi politik i PD-së në Tiranë, Belind Këlliçi, u shpreh se “pas vetëm 48 orësh Shqipëria do të jetë një vend më i mirë.”

Këlliçi tha se PD sipas tij është partia e vetme që të pamundurën e bën realitet, ndërsa theksoi se 11 maji “nuk është vetëm betejë politike, por lufta e duhur për dinjitetin tonë, për demokracinë, për Shqipërinë tonë.”

“Edi Rama nga paniku se ky bulevard do të mbushej, ka bllokuar rrugët që në orët e para të mëngjesit. Pro, demokratët e gjetën rrugën për tu mbledhur bashkë, për të ardhur në këtë bulevard dhe për ta bërë më të bukur se kurrë. Fitorja është e jona”, tha ai.

Fjalën e mbajti edhe anëtari i parlamentit britanik, Lord Stewart Jackson, i cili u bëri thirrje shqiptarëve të mbështesin PD-në në zgjedhjet e 11 majit.

“Fitorja është pranë”, deklaroi ai, ndërsa i ftoi demokratët të marrin në votime të gjithë të afërmit e tyre, për të votuar për të ardhmen.

“E ardhmja e Shqipërisë është një ardhme e begatë e cila na pret dhe në jemi në krye të rrugës. Ne mund të ndjekim rrugën e korrupsionit, makutërisë, ose mund të ndjekim një rrugë të re, e cila është drejt lirisë, demokracisë, punës, biznesit, prosperitetit, begatisë, rrugën e Shqipërisë drejt BE, drejt botës, një rrugë vizionare që do hap më tepër mundësi”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë