Lajme

Kazani që ngrohu natën e studentëve para Kryeministrisë

Përreth një kazani metalik ku kanë ndezur zjarrin, një grusht studentësh e kanë gdhirë edhe sot përpara Kryeministrisë. Gjatë natës ka pasur reshje shiu, ndaj studentët kanë qenë të pajisur edhe me mushama plastike. Ata rrëfejnë incidentin me policinë, e cila nuk i ka lejuar të ndezin zjarr mbi pllakat e bulevardit.   

Disa prej studentëve që kaluan sot natën para Kryeministrisë

“Në fillim na erdhën me shumë vrull. Në dimë cdo gjë për ty, kush je, më thanë. Të kemi skanuar”, shprehet njëri nga studentët. Sipas tij, por edhe të tjerëve që u gdhinë në Bulervadin “Dëshmorët e Kombit”, personat me të cilët janë “përplasur” gjatë natës, kanë qenë policë civilë. “Në fund u ndamë si miq, sepse ne i folëm që këtu kemi dalë për një ideal dhe për disa të drejta”, vazhdon më tej studenti.   

Ndërkohë studentët kanë vijuar edhe sot protestën. Në grupe më të vogla, kjo edhe për shkak të shiut, ata janë mbledhur nga fakultetet e tyre për t’u grupuar pastaj përballë kryeministrisë. Edhe një herë ka pasur fillimisht kakofoni megafonash. Por më pas, përfaqësuesit e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, të cilët dispononin një prej megafonave, janë “tërhequr” për t’ia lënë vendin një megafoni të vetëm. Në thirrjet e sotme është theksuar se protesta duhet të vazhdojë e qetë dhe për asnjë moment nuk duhet të përshkallëzohet. Të mërkurën protesta u zhvillua në dy sheshe: përpara Ministrisë së Arsimit dhe përpara Kryeministrisë, ndërsa të enjten, studentët u bashkuan të gjithë përpara Kuvendit të Shqipërisë dhe më pas, drejt Kryeministrisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë