Futboll

Katër gola për 10 minuta në Ballsh, Skënderbeu i largohet fundit

Gola me shumicë në Ballsh. Skënderbeu i kthen reston Bylisit për humbjen e fazës së parë në Korçë, duke e mundur 2-3 në stadiumin “Adush Muça”. Bie në sy fakti se katër nga pesë golat e kësaj ndeshjeje janë shënuar brenda 10 minutash, nga minuta e 78-të në të 88-ën. Bylisi pëson humbjen e dytë në këtë kampionat, pas asaj me Teutën javën e parë, kurse Skënderbeu parakalon për momentin Vllazninë dhe Laçin, duke u ngjitur në kuotën e 17 pikëve.

Blerim Krasniqi kaloi korçarët në avantazh me penallti, më pas Goxha dhe Murataj shënuan dy herë për Bylisin, duke i kaluar vendësit në avantazh. Por për 3 minuta korçarët u rikthyen në epërsi, pasi barazuan me penallti me Bregun dhe 2 minuta para fundit realizuan golin e fitores me Gripshin. Në ndeshjen tjetër, Luftëtari dhe Teuta barazuan 0-0 në stadiumin e Gjirokastrës, duke i prishur punë njëra-tjetrës, pasi 1 pikë nuk u bën punë as gjirokastritëve dhe as durrsakëve.

Renditja e Superiores. Gazeta Si, 9 nëntor 2019

Java e 12-të e Superiores nisi dje me klasiken Tirana-Vllaznia, që u mbyll pa fitues, ndërsa nesër luhen dy ndeshjet e fundit, Flamurtari-Partizani dhe Laçi-Kukësi. Partizani, edhe pse me një ndeshje më pak, kryeson renditjen me 21 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë