Biznes

Katastrofa ekonomike e kilogramëve të tepërt: Si po përfitojnë kompanitë farmaceutike nga një botë gjithnjë e më obeze

Nga Gazeta 'Si'- Obeziteti shumë është shndërruar në një problem akut. Nëse nuk ndalet prirja aktuale, më shumë se 1.5 miliardë të rritur dhe gati 400 milionë fëmijë - 1 në çdo 4 njerëz në botë - do të jenë obezë brenda 12 viteve të ardhshme. Dhe kjo dukuri është më emergjente në vendet që kanë më pak burime.

Pak sëmundje kronike kanë përparuar aq shpejt në dekadat e fundit - pavarësisht nga konteksti ekonomik dhe gjeografik - sa obeziteti, të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e klasifikon si një epidemi. Sigurisht një epidemi e heshtur, por me pasoja shkatërrimtare.

Zgjerimi i saj ka ndodhur pavarësisht se gjatë dekadës së fundit, janë bërë shumë përpjekje për të promovuar zakone jetese të shëndetshme. Një shembull ishte fushata e profilit të lartë “Let’s Move” e nisur nga zonja e parë e SHBA-së, Michelle Obama, në vitin 2013, në një përpjekje për të reduktuar në 5 për qind shkallën e obezitetit të fëmijëve në Shtetet e Bashkuara deri në vitin 2030.

Por ajo nuk mjaftoi. Obeziteti është ‘elefanti në dhomë’, me të cilin duhet të përballen qeveritë, madje sa më shpejt që të jetë e mundur për shkak të shifrave të frikshme dhe në rritje të vazhdueshme.

Nëse nuk ndryshon asgjë, ndikimi ekonomik i obezitetit në botë do të arrijë në 4.32 trilion dollarë humbje në vit deri në vitin 2035, për shkak të shpenzimeve mjekësore, mungesës në vendet e punës, produktivitetit të ulët, pensionimit të parakohshëm dhe vdekjes.

Kjo shifër përfaqëson gati 3 për qind të PBB-së aktuale globale, e krahasueshme me ndikimin e pandemisë Covid-19 në vitin 2020. Kostoja financiare e mbipeshës trupore po rritet me shpejtësi. Në vitin 2019, ajo përbënte 2.19 për qind të PBB-së, dhe deri në vitin 2060 do të rritet në 3.29 për qind.

Këto janë parashikimet e bëra nga “World Obesity Atlas 2023”, i publikuar nga Federata Botërore e Obezitetit, që analizon pasojat ekonomike të fenomenit në 161 vende. Dhe kompanitë farmaceutike e kanë shfrytëzuar rastin duke arkëtuar fitime të mëdha.

Ato e kanë kthyer luftën kundër obezitetit në përfitimin e tyre kryesor. Goldman Sachs vlerëson se deri në vitin 2030, fitimet nga trajtimi i obezitetit do të arrijnë në 100 miliardë dollarë në vit. Prodhimi i i barnave të reja në treg nga kompanitë e mëdha farmaceutike si Novo Nordisk dhe Eli Lilly - që fillimisht u zhvilluan dhe u tregtuan me sukses për diabetin, por që janë dëshmuar efektive edhe për rënien në peshë - mund të shënojnë një pikë kthese në përparimin e pakontrolluar të sëmundjes.

Njerëz të famshëm kanë kontribuar në popullaritetin e këtyre ilaçeve, si Kim Kardashian apo Elon Musk, të cilët kanë rrëfyer se kanë marrë semaglutide, një ilaç që redukton oreksin.  Ana tjetër e medaljes është industria ushqimore, e cila dekadat e fundit ka mbushur xhepat e saj me shitjen e ushqimeve ultra të përpunuara.

Ndaj me shfaqjen e këtyre ilaçeve, ato përballen me falimentim të mundshëm të biznesit të tyre, si dhe me sfidën e ri-modifikimit të produkteve të tyre, që ato të jenë më të shëndetshme pa e humbur shijen e tyre, diçka që do të kërkojë investime të konsiderueshme.

Ndërkohë, të shqetësuar janë edhe prodhuesit e pajisjeve mjekësore për trajtimin e Apnesë Obstruktive të Gjumit, osteoartritin dhe sëmundjet kronike të veshkave, pasi të ardhurat e tyre mund të bien ndjeshëm. Sipas Federatës Botërore të Obezitetit, në vitin 2020 2.6 miliardë njerëz jetonin me një nivel të tepërt yndyre, ose rreth 38 për qind të popullsisë globale.

Nëse flasim vetëm për obezitetin, janë më shumë se 1 miliard njerëz:650 milionë të rritur, 340 milionë adoleshentë dhe 39 milionë fëmijë. Pra 1 në 7 qytetarë. OBSH e përkufizon obezitetin si një sasi jonormale ose të tepërt të yndyrës së akumuluar, që paraqet një rrezik për shëndetin.

Obeziteti është një problem i shëndetit publik, që është përhapur me shpejtësi në të gjitha vendet. Që nga viti 1975, normat e tij janë gati 3-fishuar. Këtu ka kontribuar përhapja e stileve të jetesës kryesisht ulur, ushqimet e shpejta, sheqeri dhe ushqimet ultra të përpunuara.

Po ashtu duhet pasur parasysh se në shumë vende, ka pak alternativa ushqimore dhe pak qasje tek fruta, perime dhe proteina me cilësi të lartë, të cilat janë shumë të shtrenjta. Federata Botërore e Obezitetit parashikon që deri në vitin 2035, 51 për qind e popullsisë së botës ose do të jetë mbipeshë ose obeze.
Shifra është alarmante:më shumë se 4 miliardë njerëz, janë të dënuar të vuajnë nga kjo sëmundje komplekse, e cila shoqërohet me më shumë se 200 probleme shëndetësore dhe është përgjegjës për vdekjen e më shumë se 4 milionë njerëzve çdo vit.

Vendi me përqindjen më të lartë të popullsisë që vuan nga obeziteti ndodhet në Ishujt e Paqësorit. Në Nauru - vendi i tretë më i vogël në botë - 94 për qind e banorëve janë mbipeshë, ndërsa diabeti prek 66 për qind të njerëzve që janë mbi 55 vjeç.

Në SHBA, më shumë se 70 për qind  e të rriturve janë obezë ose mbipeshë, dhe ajo është shkaku kryesor i vdekjeve. Në fund të listës është Vietnami, me 2.1 për qind njerëz obezë në popullatën e rritur. Në Evropë, të dhënat e mbledhura nga OBSH, tregojnë se vende si Greqia dhe Italia kanë norma obeziteti afro 40 për qind

Obeziteti po rëndon shumë mbi shpenzimet e shëndetit publik, për shkak të kostos së lartë të sëmundjeve kronike që e bashkëshoqërojnë. Ai është përgjegjës për 71 për qind të të gjitha kostove të trajtimit të diabetit, 23 për qind të shpenzimeve për sëmundjet kardiovaskulare, dhe 9 për qind të kostove për trajtimin e kancerit.

Ilaçe të tilla si Ozempic - që janë treguar të jenë efektive për rënien në peshë - janë ‘patat’ që bëjnë ‘vezë të arta’. Analistët vlerësojnë se kompanitë Novo Nordisk dhe Eli Lilly, do të kapin rreth 80 për qind të tregut për trajtimin e obezitetit brenda 7 viteve të ardhshme.

Novo Nordisk ka regjistruar një fitim neto prej 9 miliardë dollarësh në 9 muajt e parë të këtij viti, me një rritje prej 47 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shitjet e Ozempic në gjysmën e parë të 2023-it, i kaluan 60 miliardë dollarë - një rritje prej 58 për qind nga viti në vit. Javën e kaluar, FDA-ja amerikane miratoi Zepbound, ilaçin e shumëpritur kundër obezitetit nga kompania farmaceutike Eli Lilly.

Në këtë biznes gjigant po garojnë gjithnjë e më shumë kompani. Kështu Pfizer po i përqendron përpjekjet e saj tek ilaçi kundër mbipeshës Danuglipron, që merret nga goja. Në garë po hyjnë edhe Amgen dhe Viking Therapeutics. Por do të duhen të paktën 2 vjet të tjerë përpara se të miratohen barnat e tyre.

Marrë me shkurtime nga “El Pais”/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë