Futboll

Kastrioti spostohet në Elbasan për arsye sigurie, FSHF cakton datën e ndeshjes së ‘kërcënimit’

Gazeta Si – Kastrioti do t’i luajë në Elbasan ndeshjet e mbetura të këtij kampionati, pasi Policia nuk merr përsipër garantimin e sigurisë në stadiumin e Kamzës, ku krutanët kanë luajtur deri tani si pritës.

Me një tjetër deklaratë për shtyp, FSHF ka bërë të ditur sot se ndeshja Kastriotit-Bylis, e anuluar për shkak të kërcënimit të arbitrave, do të luhet më 19 prill. Në deklaratë thuhet se federata është në pritje të vendimeve të organeve ligjzbatuese për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.

Foto ilustruese. Logoja e FSHF-se. Gazeta Si, 11 prill 2023

Deklarata për shtyp e FSHF-së
Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të informojë komunitetin e futbollit dhe opinionin publik se ndeshja Kastrioti-Bylis, e vlefshme për javën e 28-të dhe e planifikuar për t’u zhvilluar më 9 prill 2023, do të zhvillohet të mërkurën e datës 19 prill, në stadiumin ‘Elbasan Arena’, duke filluar nga ora 15:00.

FSHF është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet ligjzbatuese për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur me zyrtarët e ndeshjes. Hetimet janë duke vazhduar dhe në të njëjtën kohë presim që gjithҫka të sqarohet sa më parë në mënyrë që gara të vazhdojë normalisht deri në fund.

Klubi Kastrioti do t’i luajë të gjitha ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit në stadiumin “Elbasan Arena”, për shkak se Policia e Shtetit nuk merr përsipër garantimin e sigurisë në stadiumin “Kamza”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë