Futboll

Kasano i hedh benzinë zjarrit: Juve shkurtoi pagat, se sezoni është mbyllur

Një deklaratë shumë e fortë vjen nga Antonio Kasano, ish-lojtari i Italisë dhe disa klubeve të njohur në Serinë A. Për “Corriere dello Sport” ai ka komentuar vendimet e fundit për të shkurtuar pagat e futbollistëve dhe është përqendruar te Juventusi, duke thumbuar klubin bardhezi.

Sipas FantAntonios, lëvizja e fundit e klubit bardhezi është bërë me ndërgjegjë të plotë, sepse e dinë që kampionati ka përfunduar. “Nëse Juventusi ka reduktuar pagat, e ka bërë sepse është thuajse i sigurt se ky kampionat nuk do të përfundojë. Ata e dinë shumë mirë, sepse në të kundërt nuk do ta kishin bërë. Në Serinë A është e drejtë që të bëhet shkurtim pagash”, ka thënë Kasano.

Për kategoritë e tjera të futbollit italian, ish-sulmuesi shton: “Në Serinë B dhe C duhet të gjehen zgjidhje për të mos e prekur pagën e futbollistëve. Në këtë kategori ka njerëz që paguhen 3-5 mijë euro në muaj dhe që kanë kredi për shtëpinë, apo që kanë blerë një makinë me këste. Ata që fitojnë më pak do të vuanin shumë në këtë situatë”.

Antonio Kasano. Gazeta Si, 30 mars 2020

Sa shanse reale ka që kampionati të rinisë? Kasano mbetet skeptik: “Nëse do të riniste stërvitja më 3 maj, do të duhej të paktën një muaj për përgatitjen e futbollistëve dhe kjo do të thotë se do të arrinim deri në gusht me kampionatet. Do të ishte një masakër për sezonin e ardhshëm. Personalisht, do të preferoja një fazë “play-off”-i për të përcaktuar ekipin kampion të Serisë A”, - përfundon Antonio Kasano. Deklaratat e tij vijnë në momentin, kur klubet janë të ndara për mbylljen e kampionatit. Lacio insiston për përfundimin e garës, kurse Juventusi dhe Interi, dy klubet më të prekur nga situata, pasi kanë lejuar largimin e futbollistëve, janë kundër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë