Motosport

KAS-i dënon me 4 vjet Andrea Ianonen për doping

KAS-i (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv) në Lozanë ka dënuar Andrea Ianonen me 4 vite skualifikim për doping, duke hedhur poshtë rekursin e pilotit të Aprilias kundër pezullimit të dhënë nga Gjykata Disiplinore Ndërkombëtare e Federatës Ndërkombëtare të Motoçiklizmit.

Piloti u pezullua më 17 dhjetor 2019, sepse rezultoi pozitiv me substancën drostanolon gjatë një kontrolli antidoping të 3 nëntorit, kur zhvillohej “Çmimi i Madh” i Malejzisë. Më 17 prill u dha dënimi për 18 muaj pezullim, pra deri më 16 qershor 2021.

Andrea Ianone. Gazeta Si, 10 nëntor 2020

Drostanoloni është një substancë e ndaluar nga VADA dhe pilotit italian iu gjendën gjurmë në analizat urinare të bëra në atë kohë. Përveç 18 muajve pezullim, piloti u skualifikua edhe për rezultatet e garave të 3 dhe 17 nëntorit, në të dyja i tërhequr.

Ianone u mbrojt me kontaminimin nga ushqimi në kohën kur kishte bërë analizat, por Trupi Gjykues i KAS-it nuk i besoi, sepse piloti nuk arriti të saktësonte llojin e mishit që kishte konsumuar dhe origjinën e tij. Në asnjë moment Ianone dhe ekspertët e tij nuk vërtetuan problemin e kontaminimit nga mishi në Maljezi, ndaj dhe e dënuan pilotin sipas normave antidoping, 4 vite pezullim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë