Sociale

Rama flet për kartat e skaduara, ndryshime edhe në Kodin Penal e Rrugor

Kryeministri Edi Rama ka bërë një sqarim sa u përket shqetësimit të të gjithë atyre qytetarëve që u ka skaduar karta e identitetit.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Rama sqaron se ato do konsiderohen të gjitha të vlefshme dhe e vetmja gjë që duhet është një certifikatë që merret te e-albania.

“U lutem të gjithë atyre që ankohen, pyesin, komentojnë për kartat ID që janë jashtë afatit kur duan të shkojnë në bankë, të mos përtojnë të lexojnë këtë shkresë se tek e tek të gjithëve nuk u shpjegoj dot të njëjtën gjë?!

ID konsiderohen të gjitha të vlefshme, mjafton të printoni nga kompjuteri juaj apo në kompjuterin e bankës një certifikatë të freskët nga www.e-albania.al/ aman derman lexojeni”, shkruan kreu i qeverisë, Edi Rama.

Masat e reja shtrënguese, Rama: Ndryshime në Kodin Penal dhe Rrugor

Masat e reja shtrënguese në lidhje me situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19, nga njëra anë sipas Ramës, do të mbrojnë popullin nga të pabindurit deri në fund të kësaj lufte e nga ana tjetër, do të garantojnë lehtësimet e nevojshme në vijim.
Kryeministri bëri të ditur sot se “masat e reja shtrënguese për të cilat po përgatitemi t’i drejtohemi parlamentit për ndryshime në Kodin penal dhe Rrugor të Republikës së Shqipërisë, në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe specifikisht epidemisë, nga njëra anë do të mbrojnë popullin nga të pabindurit deri në fund të kësaj lufte e nga ana tjetër do të garantojnë lehtësimet e nevojshme në vazhdim duke siguruar shëndetin e qytetarëve”.
“Heqja e lejes së drejtimit të automjetit për disa vjet e po ashtu heqja e lirisë për disa apo shumë vite sipas shkallës së shkeljes, do të kthehen në norma bindëse për të siguruar fitoren e luftës pa rrezikuar arritjet e derisotme dhe rrugën e rimëkëmbjes ekonomike pa cenuar shëndetin e askujt”, u shpreh Rama.
Sipas tij, brenda 15 prillit do të kemi paketën e zgjeruar financiare dhe gatishmërinë për miratimin e masave lehtësuese në qeveri si dhe të masave të reja penale në Kuvendin e Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë