Politike

Karta e anëtarësisë së PS nga Qerimaj dhe debati i ri që lind për raportin sport-politikë    

Nga Gazeta Si - Prej vitesh sportistët shqiptarë, që një pjesë e tyre sot janë drejt fundit të karrierës, jetën e tyre e kaluan, sa në palestra, pallate sporti apo pista vrapimi, aq edhe në dyert e “Shtetit” për të kërkuar shpërblimet dhe trajtimet financiare që dikur linin për të dëshiruar.

Insistimi i tyre, me të drejtë, u shndërrua në një zhurmues i padurueshëm dhe shpesh here i përdorshëm nga politika, kryesisht nga opozitat. Megjithatë ka mbi 5 vite që VKM-të e shpërblimeve u ndryshuan duke i bërë të larta, ndoshta ndër më të lartat në Europë, për medaljet europiane, botërore apo olimpike, që askush ende nuk ka mundur nga sportistët shqiptarë.

Impakti social apo sportiv që pati kjo iniciativë e parlamentit dhe kryeministrit të vendit ishte aq i madh sa ndryshimet u pasuan edhe me gradimin ushtarak të sportistëve, një “gjetje” e menduar si zgjidhje e problemit financiar të sportistëve në bazë të arritjeve:

a) Sportisti, i cili thyen rekord olimpik/botëror/evropian- Kolonel

b) Vendi i parë deri në vendin e tretë në Lojërat Olimpike/kampionat botëror – Kolonel

c) Vendi i parë në kampionatin evropian – Kolonel

ç) Vendi i dytë deri në vendin e tretë në kampionatin evropian  –  Nënkolonel

d) Vendi i katërt deri në vendin e gjashtë në Lojërat Olimpike – Nënkolonel

dh) Vendi i shtatë deri në vendin e tetë në Lojërat Olimpike – Major

e) Vendi i katërt deri në vendin e gjashtë në kampionate botërore – Major

ë)  Vendi i parë në Lojërat Mesdhetare – Major

Menjëherë Forcave të Armatosura të Shqipërisë iu bashkua elita kombëtare e sportit shqiptar. Në një ceremoni të posaçme, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, 7 sportistët shqiptarë; Luiza Gega, Briken Calja, Erkand Qerimaj, Alban Beqiri, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, të shpallur kampionë olimpikë, botërorë dhe europianë u nderuan me gradën e lartë ushtarake “Kolonel”, duke u bërë pjesë e Forcave të Armatosura Shqiptare.

Një grade më poshtë asaj më të lartës, që është Gjenerali. Në fakt një titull “honorifik” që përkon me një pagë relativisht të lartë për vendin tonë, 150.000 lekë në muaj për secilin.

Por “përfitimet” që morën nga politika ndonjëherë duhen kthyer edhe mbrapsh, duke shfrytëzuar apo përfituar nga popullariteti i një sportisti, artisti apo çdo personi të jetës publike që ka një status publik dhe popullaritet të caktuar.

Kështu pak ditë më parë Erkand Qerimaj, peshngritësi rekordmen dhe fitues i shumë medaljeve europiane dhe botërore në karrierë, sot drejt fundit, mori teserën e anëtarësimit të Partisë Socialiste.

Nga Njësia 1 në kryeqytet, ku mori edhe kartën e anëtarësisë, Qerimaj tha se Tirana është bërë një qytet Europian, që ofron shumë e shumë më tepër falë PS-së me në krye Edi Ramën dhe kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj.

“Më bëhet qejfi që jam pjesë e një skuadre fituese, siç është skuadra jonë e madhe. Kur isha në kampionatin europian, në Sofje, më mori malli për Tiranën dhe pyesja veten pse. Sepse Tirana është bërë një qytet Europian, që ofron shumë e shumë më tepër, dhe kjo falë skuadrës tonë të madhe, PS-së me në krye zotin Edi Rama dhe kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj, që kanë bërë të mundur që të bëhen këto ndryshime për Tiranën, ku kanë ardhur mbi 10 mln turistë”, tha Qerimaj.

Në pamje të parë asgjë të keqe, ka pasur shumë sportistë, artistë, këngëtarë, aktorë që kanë dalë përkrahë politikanëve në fushatat politike, por kur bëhet fjalë për Kolonel Erkand Qerimajn, pra si pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjërat ndryshojnë dhe jo pak.

Duke e cilësuar PS një skuadër fituese, kampioni në peshëngritje nënvizoi se e ardhmja e vendit është në duar të sigurta. “Të jeni të sigurt se jeni te skuadra fituese dhe nuk është një skuadër fituese sepse ka kundërshtarë të dobët. Por është një skuadër fituese që pretendon të bëhet te më të mirët në Europë dhe në botë, jo me këta kundërshtarët që kemi këtu. Gjej rastin që të falenderoj kryetarin e Bashkisë, jo për ndryshimet që janë bërë, që dihet që janë bërë, por e falenderoj si qytetar i Tiranës për ndryshimet që ka Tirana. Në momentin kur kam ardhur në Tiranë, si shkodran, mora biçikletën, por nuk kisha ku të lëvizja. Tani falë kryetarit të Bashkisë lëviz lirshëm me biçikletë, plus mbjellja e pemëve… janë gjëra me vlerë që ndikojnë shumë në jetën tonë, në jetën e fëmijëve tanë dhe në të ardhmen e vendit tonë. Dhe mendoj se e ardhmja e vendit tonë është në duar të sigurta”, deklaroi Qerimaj.

Edhe pse në mënyrë honorifike, këta sportistë mbajnë sot uniformat e Forcave të Armatosura, zyrtarisht kanë këtë gradë të lartë dhe si rrjedhojë i detyrohen edhe respektimit të rregullores së këtij institucioni. Mes shumë rregullave që kanë trupat ushtarake në çdo vend, janë disa të cilat konsiderohen rreptësisht të ndaluara, apo shkelje shumë të rënda, nëse do t’i referohemi Ligjit nr. 173/2014 “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (ndryshuar me ligjin nr. 19/2021 datë 15.02.2021)

Neni 13

Shkelje disiplinore shumë të rënda

(ndryshuar me ligjin nr. 19/2021, datë 15.2.2021)

a)        mbështetja e fushatës së një partie ose organizate politike apo e një anëtari të një partie politike ose të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë fizikisht ose duke kontribuar financiarisht;

Ndoshta dikush e ka harruar këtë fakt...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë