Motosport

Karlos Sainz flet hapur: E dija për ardhjen e Hemiltonit, do luftoj fort për Ferrarin

Gazeta Si – Në pritje për të nisur atë që do të jetë Botërori i fundit me Ferrarin, për t’ia lënë më pas vendin Ljuis Hemilton, spanjolli Karlos Sainz është shfaqur në sipërmarrje të reja sportive, duke lançuar projektin e tij ‘kart’.

Sainz nuk mund ta shmangte në këtë event çështjen e ardhjes së Hemiltonit në Maranelo. Për mikrofonët e ‘Sky Sport’ ai ka pohuar se e priste këtë lëvizje: "Jam shumë i qetë, po punojmë për të ardhmen, mbi të gjitha për atë që është përpara, një vit shumë i rëndësishëm. Është viti im i fundit me skuadrën dhe do të luftoj fort për të bërë më të mirën.

Si një person i brendshëm e dija për Hemiltonin, shikoja gjëra para jush, kështu që isha i përgatitur. Por dua të mendoj vetëm për këtë sezon, dua të bëj maksimumin për Ferrarin në këtë kampionat. Jam një pilot që çdo sezon është bërë më i fortë, nuk kam bërë hapa prapa, por vetëm përpara në karrierë.

Këtë vit mbush 30 vjeç, ndihem i ri dhe më i motivuar se kurrë. E di cila është vlera ime si pilot dhe e di që do të ketë gjëra të bukura në të ardhmen. Fakti që e di që është viti im i fundit me Ferrarin nuk është gjëja më normale për të nisur një sezon, por sapo të vendos kaskën në Bahrejn dhe të zbres në pistë, të jeni të sigurt se do të përpiqem të bëj gara sa më të mira”, - ka thënë mes të tjerash Karlos Sainz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë