Motosport

Sainz, ‘golden boy’ i merkatos së pilotëve, tri pista të hapura për spanjollin

Gazeta Si - Paraqitja e pilotit spanjoll në Melburn ka hapur skenarë të rinj për Botërorin e 2025-s. Nuk janë vetëm hipotezat e Sauber-Audi dhe Mercedes, mund të bëhet sërish shok skuadre me Maks Vershtapen, si te Toro Rosso në 2015-n dhe 2016-n.

Mjaftoi një garë e vetme, që të bien dakord të gjithë. Pas triumfit të madh në Melburn, Karlos Sainz është njeriu më i çmuar në merkaton e pilotëve të Formulës 1, të paktën deri në ndonjë lëvizje surprizë të Vershtapen. Duket se janë ndezur tashmë tratativat, që do të përcaktojnë rreshtimin para nisjes në Botërorin e 2025-ës.

Gara e Australisë e konfirmoi si ‘Smooth Operator’, – pseudonimi i spanjollit që tregon një njeri që bën detyrat e veta pa problem dhe që e shoqëron që nga koha e MekLarenit, duke kujtuar edhe një këngë të njohur të viteve ’80. Nuk mund të ishte ndryshe, pas asaj paraqitjeje heroike, po të marrim në konsideratë pasojat e operacionit të apendicitit që kreu dy javë më parë.

Pavarësisht sikleteve fizike dhe stërvitjes së munguar, Karlos dominoi një garë taktikisht shumë të komplikuar. Ai vuri në dukje një nga karakteristikat më të mira që ka: aftësinë për të administruar në mënyrën më të mirë gomat.

Në një fundjavë të vetme, Sainz u konfirmua jo vetëm i shpejtë në kualifikuese, por edhe shumë i zoti për të menaxhuar makinën dhe gomat në kushte të vështira. I paevitueshëm fakti që ky pilot, pas ‘divorcit’ me Ferrarin, të mos joshë skuderitë e tjera rivale.

Opsionet janë vërtet intriguese. “Nuk kam vendosur për cilën skuadër do të garoj, - ka shpjeguar spanjolli javën e kaluar, kur është pyetur për të ardhmen. – Dua kohë që të bëj zgjedhjen më të mirë të mundshme. Jemi duke folur nga pak me të gjithë”.

Një nga pistat është Sauber, që pas dy vitesh do të bëhet skuadra zyrtare e Audit dhe synon të ketë Sainz si pilot të parë. Për të mos u nënvlerësuar është Mercedesi, pasi Toto Volf është i prirur të afrojë ata që kanë punuar në Maranelo. Në këtë rast do të kishim të bënim gati me një shkëmbim të thatë me Hemilton.

Dhe Red Bull-i është një tjetër mundësi, por mbetet të shihet raporti me drejtuesit e skuadrës. Sainz është rritur nga Helmut Marko dhe në sezonet 2015 dhe 2016 kishte si shok skuadre pikërisht Maks Vershtapen. Nëse holandezi respekton kontratën deri në 2028-ën dhe Serxho Perez ikën në fund të vitit, Sainz mund të rikthehet, por në këtë rast do të ishte pilot i dytë. Të gjitha pistat janë të hapura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë