Futboll

Kapsolla, kaos dhe tifozë në fushë në derbi. Tirana mban prapa Partizanin

Gazeta Si – Derbi i shumëpritur mes Tiranës dhe Partizanit përfundoi në barazim, 1-1. Tirana ruan kryesimin me 2 pikë nga Partizani rival, që nuk mundi të shfrytëzonte momentin e mirë dhe mungesat e kundërshtarit për të bërë parakalimin në renditje.

Titulli mbetet i hapur kështu dhe do të vendoset në tri javët e fundit të kampionatit, ku kalendari favorizon më tepër skuadrën e kuqe. Më tepër se loja në fushë, vëmendjen e mori situata kaotike në tribuna, hedhjet e sendeve në fushë, goditja e portierit Rexhepi me kapsollë dhe futja e tifozëve në fushë.

Nje nga banderolat e tifozeve te Partizanit. Gazeta Si, 17 maj 2023

Viktor Da Silva, i cili në pjesën e parë kishte humbur një rast flagrant, kaloi Partizanin në avantazh, pas një kombinimi të bukur me Mba në minutën e 53-të. Tirana arriti të barazonte me Deliun 9 minuta para fundit, me mesfushorin që kapi në befasi Rexhepin me një gjuajtje nga jashtë zonës.

Tifozët kishin përgatitur një koreaografi speciale, me banderola thumbuese. Si zakonisht, gjatë ndeshjes pati incidente dhe ndërprerje loje. Kulmi ishte momenti pas golit të Partizanit, kur portieri Bekim Rexhepi u godit nga një kapsollë nga tifozët pas shpinës së tij.

Tifozët në derbi mund të thuhet se kanë bërë çfarë deshën. Ata të Partizanit madje arritën të hynin fare lehtë edhe në tapetin e blertë, kur skuadra e tyre shënoi. Siguria la shumë për të dëshiruar, ndërsa arbitrat dhe FSHF, pavarësisht problemeve të përsëritura në çdo derbi, me stola të thyer dhe kapsolla e fishekzjarre në fushë, nuk mbajnë asnjë qëndrim të fortë, si ndërprerja e ndeshjes, për shembull.

Derbi pati ndërprerje të shpeshta, aq sa u desh të akordoheshin 11 minuta shtesë në fund. Të pashmangshme edhe polemikat. Nga kampi i Tiranës pati rezerva për një penallti të padhënë për një prekje të topit me dorë në zonë.

Kapiteni i Tiranes, Filip Najdovski, luajti ndeshjen numer 100 me kete ekip. Gazeta Si, 17 maj 2023

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë