Futboll

Kapelo i ashpër me Juven: Çelsi i dha një leksion, në Itali s’ka më futboll të shpejtë

"Mendoj se ishte një leksion i vërtetë, një leksion futbolli”, - theksoi ish-trajneri i njohur italian, Fabio Kapelo, teksa fliste në studiot e “Sky Sport” në lidhje me fitoren e thellë të Çelsit ndaj Juventusit në “Stamford Bridge”.

Skuadra e Alegrit jo vetëm që pësoi katër gola në Londër, por tregoi edhe vështirësi të mëdha në lojë përballë kampionëve në fuqi të Ligës së Kampionëve, një kompeticion ku klubet italiane nuk po arrijnë të lënë gjurmë vitet e fundit.

Fabio Kapelo, ish-trajneri italian. Gazeta Si, 24 nentor 2021

Kapelo nuk ka zgjedhur diplomacinë për të treguar atë çfarë ndodhi në ndeshjen e Juventusit, por ka vënë menjëherë gishtin në plagë: "Po shohim Liverpulin të luajë gjithmonë në vertikale me shpejtësi maksimale. Këtë herë pamë edhe Çelsin, që e luajti shumë pak topin prapa, apo ta niste aksionin nga portieri. Janë dy trajnerë gjermanë dhe ndoshta duhet të mësojmë prej tyre të luajmë futboll të shpejtë”, - ka argumentuar Kapelo.

“Në Itali ky lloj futbolli nuk ekziston më dhe nëse nuk ndryshojmë, do të kemi gjithmonë vështirësi. Kur ka intensitet kaq të lartë dhe nuk ndalesh të kuptosh se çfarë duhet të bësh, bëhet e vështirë. Në Itali bëhet stërvitje me ritme shumë të ulëta dhe prandaj bëjmë të tilla figura në kompeticionet europiane", - ka thënë në fund ish-trajneri i famshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë