Gazeta Si - Informacionet se brenda kampit të muxhahedinëve të MEK-ut në Manzë të Durrësit zhvilloheshin aktivitete të paligjshme përmes platformave online, dyshohet të ketë qenë shkaku i operacionit të SPAK dhe policisë.
Një ndërhyrje, e cila shkaktoi kaos dhe vdekjen e një banori muxhahedin, i cili sipas MEK-ut u vra nga policia shqiptare.
Por kjo e fundit, deri në pritje të autopsisë mjeko-ligjore, ka deklaruar se vdekja mund të ketë ardhur nga një sulm në zemër.
Sipas burimeve paraprake, brenda kampit të MEK në Manzë të Durrësit, policia gjeti disa servera kompjuterësh që janë përdorur për sulme kibernetike.
Mësohet se gjatë operacionit, janë sekuestruar rreth 230 kompjuterë dhe serverë, të cilët dyshohet se janë përdorur për të kryer sulme kibernetike ndaj disa institucioneve të huaja.
Qëllimi i kontrollit të policisë me urdhër të SPAK dhe GJKKO, ka qenë pikërisht sekuestrimi i pajisjeve, edhe pse duket se situata ka dalë jashtë kontrollit.
Aksioni i policisë u shoqërua me përplasje mes efektivë dhe muxhahedinëve, të cilët kundërshtuan aksionin dhe akuzuan policinë për dhunë.
Situata është përshkallëzuar në momentin kur policia ka nisur konfiskimin e telefonave, lap-top-eve, USB, hard-disqeve dhe çdo material elektronik që policia ka gjetur dhe kjo ka bërë që të përshkallëzohej, duke detyruar policinë të përdorte gazin lot-sjellës.
Dyshimet janë të forta, se brenda kampit të muxhahedinëve në Manzë ato kishin krijuar një qendër hakerësh, me të cilën kryenin sulme kibernetike edhe në institucionet e huaja jashtë vendit.
Një investigim i televizionit Al-Jazeera zbuloi në MEK, në kampin e Manzës kishte ndërtuar një sallë me mbi 1000 kompjuterë nga ku përmes rrjeteve sociale shpërndaheshin mesazhe për rrëzimin e regjimit aktual në Iran.
Në shtator të vitit 2022, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin.
Ndërprerja erdhi pasi sipas qeverisë shqiptare kishte prova të pakundërshtueshme se Irani ka financuar sulmin kibernetik ndaj shërbimeve online, gjë që nga ndikuar në marrjen e vendimit për të prishur marrëdhëniet zyrtare me këtë shtet.
Hakerët iranianë publikuan video dhe të dhëna sensitive në faqen ‘Homeland Justice’.
Marrëveshja e vitit 2013 mes SHBA-ve dhe qeverisë shqiptare për strehimin e anëtarëve të MEK, vijon të mbetet sekret, por ajo çfarë ka thënë deri më sot nga qeveria shqiptare, është se u “strehuan në vendin tonë për qëllime humanitare” dhe jo politike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.