Politike

Operacioni i SPAK në MEK/ Çuçi: Zbatuam vendimin e Gjykatës! Viktima nuk është prekur me dorë nga policia. Rrumbullaku: Janë dëmtuar 15 efektivë

Nga Gazeta 'Si'-Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi në një konferencë për mediat sëbashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamed Rrumbullaku foli për kontrollin e ushtruar nga Policia e Shtetit në kampin MEK ku e quajti të patolerueshme dhunën që ata kanë ushtruar ndaj policisë së shtetit.

Çuçi deklaroi se ndihej i keqardhur nga sjellja e muxhahedinëve dhe u shpreh se ata kanë thyer kodin e mikpritjes.

"Besoj se ata për më shumë se 3 mijë ditë kanë jetuar në siguri të plotë në garancinë tonë të plotë. Është e paimagjinueshme dhuna dhe reagimi që kanë bërë sot ndaj Policisë së Shtetit. Besoj se duhet të biem dakord që është shkelje ligjore për këdo që jeton në Shqipëri brenda ligjeve shqiptare por edhe një lloj thyerje e kodit të mikpritjes që ne i kemi ofruar.

Organizata MEK ka një marrëveshje me qeverinë shqiptare për t’u strehuar në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Kjo është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Atyre u ndalohet të kryejnë çdo lloj aktivitet politik apo protesta. Ne kemi pasur shqetësime për mos respektim të marrëveshjes. Kohët e fundit, aktiviteti i tyre politik ka tërhequr vëmendjen e SPAK i cili ka filluar më shumë se një çështje penale në lidhje me këtë gjë.

Ashtu si duhet të veprojë çdo institucion ligjzbatues në Shqipëri, SPAK ka pasur indicie të forta në lidhje me këtë gjë dhe i është drejtuar gjykatës për të bërë një kontroll brenda kampit dhe për të bërë sekuestrimin e pajisjeve që kanë lidhje me çështjen që po heton SPAK. Gjykata ka marrë një vendim brenda ligjeve shqiptare”, tha ai.

Më tej, Çuçi komentoi vdekjen brenda kampit të MEK ku theksoi se vdekja nuk u shkaktua nga policia dhe se do të pritet ekspertiza mjeko-ligjore.

"Nuk është prekur qoftë edhe një anëtar me dorë nga policia. Do të presim ekspertizën mjeko-ligjore për këtë qëllim. Ai është një burrë i moshuar, rreth 76-79 vjeç. Vdekje brenda kampit ndodhin rëndom, pasi ai është një komunitet që e ka ndërtuar jetën aty. Unë jam i bindur sepse kemi pasur gjithë kujdesin e duhur me të gjithë anëtarët e kampit”, u shpreh Çuçi.

Ai tha se marrëveshja do të vijojë, ndërsa shprehet se pret një ndryshim në sjelljen e tyre, sa i takon respektimin të ligjeve shqiptare.

Ndërsa Rrumbullaku u shpreh se gjatë kontrolleve janë evidentuar dhe sekuestruar 96 njësi kompjuterike si dhe disa shkresa të cilat në momentin e operacionit, muxhahedinët kanë tentuar t’i djegin.

Nga ana tjetër ai theksoi se policia ka rënë pre e dhunës nga ana e tyre me një bilanc prej 15 efektivësh të dëmtuar të cilët janë në spital për ndihmë mjekësore.

Rrumbullaku u shpreh se gjatë kontrolleve janë evidentuar dhe sekuestruar 96 njësi kompjuterike

“Kam dërguar shkresë zyrtare për të gjithë drejtuesit e MEK për takimin zyrtar. Në orën 08:00 të mëngjesit unë me disa drejtues policie kemi thirrur në takim 6 drejtuesit kryesorë të kampit MEK. Për një orë kemi sqaruar në detaje gjithçka për kontrollin në të gjitha godinat sipas vendimit të GJKKO. Kemi gjetur mirëkuptimin e tyre në momentet e para. Bashkë me drejtuesit dhe forcat policore kemi hyrë në ambientet e të gjithë territorit.

Më pas ka filluar faza e kontrollit në të gjithë ambientet. Pas dy orësh kontrolle për shkak të numrit të madh të objekteve pasi konstatuam paligjshmëri në raport me kërkesat e vendimit të gjykatës sa i përket evidentimit të sallave të serverëve dhe pajisjet kompjuterike gati në 17 objekte filloi një rezistencë nga ana e tyre. Pas këtij momenti është kaluar në vetëpërmbajtje ekstreme dhe në asnjë rast nuk është përdorur dhunë nga policia. Pas kësaj policia ka përdorur procedurat standard të punës për menaxhimin e turmës. Nga gjithë kjo përballje policia mbeti viktimë e dhunës së tyre dhe jo rezidentët", deklaroi Rrumbullaku.

Ai shtoi se është përdorur vetëm spraj individual që nuk ka sjellë asnjë pasojë për ta.

"15 punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar ndërsa nga ana e tyre kanë mbetur të dëmtuar 21 prej tyre. 15 kanë lënë qendrat shëndetësore dhe janë dërguar në qendrën e banimit. Policia ka bërë veprime totalisht të ligjshme. Në tërësinë e veprimeve të kryera nga policia në zbatim të vendimit të gjykatës janë sekuestruar në cilësinë  e provës 96 njësi kompjuterike, tableta dhe materiale shkresore të cilat tentuan të asgjësohen me djegie nga anëtarët e MEK”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë