Tek Arsenali nuk i kanë aspak qejf sezonet e qeta. Gjithmonë ka çështje që marrin vëmendjen e shtypit. Tani që çështja e Ozilit duket e mbyllur, ka shpërthyer një tjetër polemikë. E gjitha për faj të kapitenit Granit Xhaka, i cili në momentin e zëvendësimit sulmoi tifozët e tij, por edhe të sulmuesit Lakazet, i cili ka dalë në krah të mbështetëseve të “Topçinjve”.
Arsenali barazoi 2-2 në shtëpi ndaj Kristal Palasit. Skuadra e trajnerit Unai Emeri ishte në avantazhin e 2 golave, por u barazuar dhe nervozizmi doli në sipërfaqe. Xhaka u zëvendësua në minutën e 60-të dhe u bë protagonist negativ me një “fuck” ndaj tifozëve të Arsenalit. Një veprim që nuk lë shumë hapësirë për interpretim. Një veprim i gabuar nga kosovari i Zvicrës, aq më tepër që kalimi i shiritit të kapitenit në krahun e tij ishte shoqëruar me protesta nga tifozët e Arsenalit.
Këta të fundit nuk e pritën mirë gjestin e Granit Xhakës dhe pas ndeshjes kanë shpërthyer në rrjetet sociale, duke marrë edhe një pëlqim të papritur, atë të sulmuesit francez Lakazet. “The Sun” shkruan për rastin e nj tifozi, i cili ka postuar një foto nga shkallët e “Emirates”, ku dënon trajnerin Emeri dhe gjestin e Xhakës me gishtin e mesit. “Nuk mund të barazohesh nga Kristal Palas në shtëpi, kur je 2-0. Emeri, të kam mbështetur, por mjaft tani. Dhe Xhaka të shkojë në djall, nuk dua ta shoh më me fanellën e Arsenalit”, - shkruan tifozi dhe Lakazet bën “like”.
Sulmuesi francez ende nuk ka dhënë asnjë koment në lidhje me këtë ngjarje, por atmosfera brenda Arsenalit është vërtet kaotike. Trajneri Unai Emeri i ka ftuar të gjithë të ruajnë qetësinë, por edhe ai e ka “dënuar” Xhakën, edhe pse ka qenë po ai vetë që i ka besuar shiritin e kapitenit. “Nuk është momenti të flasim për shiritin”, - ka thënë trajneri spanjoll, i cili duhet të vërë rregull në skuadër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.