Lajme

Kaos në trafikun e Tiranës, protestuesit bllokojnë për 2 orë Unazën e Madhe

Ashtu siç kishin paralajmëruar, banorët e kahut të brendshëm të Unazës së Madhe nga segmenti “Pallati me Shigjeta” deri tek sheshi “Shqiponja” dolën në rrugë duke bllokuar qarkullimin e mjeteve.

Protesta u zhvillua në kryqëzimin e njohur si kryqëzimi pranë karburant Kastratit. Banorët thanë për Gazetën “Si” se projekti u cenon banesa e bizneset që kanë në një thellësi që shkon deri në 32 metra nga rruga kryesore.

“Mua më heq gjysmën e shtëpisë, se për dyqanin as po pyet njeri më fare”, tregon një protestues.

Një pjesë e protestuesve i kanë të palegalizuara, ose në proces legalizimi banesat e bizneset që u preken nga ky projekt. Por, edhe ata që janë në rregull me dokumentacionet kanë pakënaqësi për vlerësimin që u është bërë pronave të tyre.

“Të na i vlerësojnë tamam dhe pastaj le të vijnë, se i ndihmoj edhe unë që ta prishin shtëpinë time”, thotë një tjetër protestues.

Të pyetur nëse janë kontaktuar këto ditë nga autoritetet për të gjetur një zgjidhje të mundshme dhe në tryezë, banorët thonë se jo. Ata shprehen të vendosur për t’i qëndruar deri në fund protestës së tyre deri në realizimin e kërkesave dhe paralajmërojnë se në ditët në vijim do të përshkallëzojnë protestën duke e bllokuar më gjatë rrugën.

Protesta nisi në orën 16:30 minuta dhe zgjati deri në orën 17:40 minuta, koha e mjaftueshme për të shkaktuar kaos në trafik, që u reflektua nga Pallati me Shigjeta deri tek Zogu i Zi dhe gjithë zona e Laprakës.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/2191341881125245/

Megjithatë, organizatorët e protestës u kujdesën që të mos bllokonin ambulancat dhe urgjencat e tjera, duke u hapur rrugën.

Segmenti nga mbikalimi tek Pallati me Shigjeta e deri tek sheshi Shqiponja ka qenë dikur edhe vija e verdhë, ku para ndarjes së re administrative ishte kufiri mes Bashkisë së Tiranës dhe ish-Komunës së Kasharit. Çuditërisht, distanca prej 25 metrash është respektuar në kahun që dikur ishte në juridiksionin e Komunës së Kasharit, ndërsa në kahun e brendshëm të Unazës së Madhe, që ka qenë gjithmonë nën administrimin e Bashkisë së Tiranës, kjo distancë është shkelur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë