Futboll

Kaos në futbollin grek, PAOK-u dhe Ksanthi një kategori më poshtë?

Ka kaluar një muaj që kur Komiteti i Futbollit Profesionist në Greqi ka nisur të hetojë mbi akuzat për pronësi të shumëfishtë të klubeve të PAOK-ut dhe Ksanthit. Nëse vërtetohen akuzat, ka konflikt të hapur interesi dhe ekipet në fjalë do të kenë pasoja deri në zbritje një kategori më poshtë. Përfaqësuesit e dy klubeve kanë dëshmuar për çështjen në fjalë dhe drejtuesit e Komitetit kanë pohuar se kanë në dorë prova të qarta, ndaj dhe kanë vendosur për t’i gjobitur me 300 mijë euro. Por, është sugjeruar gjithashtu që PAOK-u dhe Ksanthi të ndëshkohen me zbritjen nga Superiga e Greqisë.

Vendimin përfundimtar do ta marrë Gjykata e Drejtësisë Sportive, që sigurisht merr në konsideratë udhëzimet e Komitetit. Ngjarja ka bërë bujë, sepse ka pasoja për gjithë futbollin grek. Dy klubet po përgatisin mbrojtjen. PAOK-u kampion në fuqi, ku luan edhe mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Enea Mihaj, ka akuzuar si përgjegjës për këtë çështje Ministrin e Sportit, Avgenakis. Në shënjestrën e drejtusve të PAOK-ut është edhe klubi rival i Olimpiakosit, pasi dyshohet se ka punuar për të shkatërruar kampionët në fuqi. Ministri Avgenakis ka deklaruar se qeveria respekton vendimet e Komitetit dhe Gjykatës së Sportit, por e konsideron shumë të ashpër hipotezën e zbritjes nga kategoria të një skuadre historike si PAOK-u, që për më tepër është i impenjuar në Ligën e Europës.

Nga një ndeshje e PAOK-ut. Gazeta Si, 28 janar 2020

Tifozët e PAOK-ut ishin duke ndjekur ndeshjen e skuadrës së tyre me Volosin kur morrën vesh lajmin dhe menjëherë shpalosën një banderolë kundër qeverisë greke dhe Ministrit Avgenakis. Vendimi i Komitetit do t’i bëhet i ditur tashmë Gjykatës dhe Federatës, që më pas do të shprehen në lidhje me zbritjen e mundshme të PAOK-ut dhe Ksanthit një kategori më poshtë. Futbolli grek është pushtuar nga kaosi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë