Drejtësia

Kandidatët e BKH, ambasada e SHBA-së: Mbështesim luftën kundër krimit dhe korrupsionit

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, ka përshëndetur përzgjedhjen e kandidatëve që kaluan kushtet e sigurisë për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, selia diplomatike, thotë se SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesë SPAK-un dhe të gjithë ata që i përgjigjen thirrjes së detyrës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në emër të popullit shqiptar.

“Urime dhe fat të mbarë burrave dhe grave që përfunduan me sukses procesin rigoroz të aplikimit dhe tani do të fillojnë trajnimin për Byronë Kombëtare të Hetimit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin SPAK-un dhe ata që i përgjigjen thirrjes së detyrës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në emër të popullit shqiptar”.

Ambasada vijon se pret së shpejti “një thirrje tjetër për hetues të BKH-së, për të forcuar më tej këtë institucion të ri!”, thuhet në njoftim.

Një ditë më parë, 28 kandidatë, nga 37 që ishin gjithsej, kanë kaluar testin e sigurisë para Komisionit të Posaçëm të Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë