Motosport

Kampioni Vershtapen sulmon Formulën 1: Rregulla të paqarta, ndihem i humbur

Gazeta Si – Tri herë kampioni i botës nuk është dakord me disa zgjedhje të organizatorëve të Formulës 1. Maks Vershtapen njihet për temperamentin e nxehtë në pistë, ku ndonjëherë e ka shprehur hapur mospajtimin me vendimet e Red Bull-it. Por holandezi ka sulmuar edhe organizatorët e F.1.

Për mikrofonët e ‘Auto Motor und Sport’ ai akuzon F.1 për rregulloret dhe formatet e reja pak të qarta nga pikëpamja e tij. Akuza që pasojnë pakënaqësinë e shprehur nga kampioni në Las Vegas, ku e quajti garën "99% një show".

"Çfarë nevoje ka për gjithë këto gjëra të çuditshme. Tani pyes veten: cilat janë rregullat? Ndihem i humbur”, - ka thënë fillimisht piloti holandez. Më pas ai ka kaluar në detaje mbi temën Sprint, duke u nisur nga hipoteza e një formati kualifikues me vetëm një xhiro në dispozicion.

"Nuk dihet se çfarë bëhet me formatin aktual, kështu do të bëhej shumë e rrezikshme. Kam thënë gjithmonë se e kuptoj anën komerciale, por pikëpamja ime është ajo e një piloti. Sipas meje, gara Sprint e prish pak magjinë. Kur isha fëmija dhe ndizja televizorin, isha kurioz për atë që do ndodhte në garë.

Duke parë një Red Bull, një Mercedes dhe një Ferrari në rreshtin e nisjes, ka kuriozitet si do të përfundojë gara. Me garën Sprint dihet pak a shumë se çfarë do të ndodhë një ditë më pas, duke përjashtuar rrethana të veçanta, si ndryshimi i motit. Kjo heq tensionin", - është shprehur Vershtapen.

Një tjetër apsket që duhet riparë, sipas Vershtapen, është zgjedhja e ‘parkut të mbyllur’ të së premtes në fundjavat e garës Sprint: "Nëse gabon, mbetesh në grackën e atij ‘setup’-i për gjithë fundjavën. Është e shëmtuar. Ndodhi vitin e kaluar në Brazil. As fundjavat pozitive të vitit të fundit nuk më kanë kënaqur për gjithçka”, - ka shtuar holandezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë