Motosport

Kampioni Maks Vershtapen niset para të gjithëve në Bahrejn! Edhe Leklerk në rreshtin e parë

Gazeta Si - Nën dritat e fuqishme të autodromit të Sakhir, Maks Vershtapen dhe Red Bull kanë treguar sërish superioritetin e tyre. Kampioni në fuqi i botës ka arritur ‘pole position’-in e parë të Botërorit 2024.

Pasi kishte krijuar iluzione për të gjithë, ose thuajse për të gjithë, në provat e lira, holandezi ka marrë sërish skenën me kohën më të mirë, kështu që do të niset i pari në Çmimin e Madh të Bahrejnit. Vershtapen regjistroi kohën 1 minutë, 29 sekonda dhe 179 të mijëtat.

Në krah të Red Bull-it numër 1 do të niset Ferrari SF-24 i Sharl Leklerk, që ishte 228 të mijëtat më pas. Në rreshtin e dytë do të niset Xhorxh Rasëll, që tentoi të marrë menjëherë rolin e njeriut-lider te Mercedesi. Kohën e katërt më të mire e arriti Karlos Sainz, 328 të mijëtat larg vendit të parë.

Në rreshtin e tretë do të nisen në Bahrejn Serxho Perez me Red Bull-in e dytë dhe Fernando Alonso me një Aston Martin premtuese. Më pas do të jenë makinat Meklaren të Lando Norris dhe Oskar Piastrit. Në rreshtin e 5-të të nisjes do të jenë Ljuis Hemilton, larg pritshmërive, dhe Niko Hulkenberg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë