Njerez

Kampion bote me zemër flori, 400 mijë euro për bamirësi

Franca u shpall në verë kampione e botës, pasi triumfoi në Botërorin e Rusisë, ku mundi në finale Kroacinë. Shpërblimi për kampionët e rinj të botës ka qenë i majmë, por disa prej tyre duket se nuk kanë menduar vetëm për veten, por edhe për të tjerët, konkretisht për njerëzit në nevojë.

Pas sulmuesit Kilian Mbape, edhe Blaise Matuidi është treguar një njeri me zemër të artë dhe ka vendosur të ndihmojë njerëzit që nuk kanë pasur fat në jetë dhe kanë nevojë për mbështetje. Në një intervistë për “Jornal du Dimanche”, futbollisti i Juventusit ka rrëfyer se i ka dhënë për bamirësi 400 mijë eurot e shpërblimit për titullin kampion bote. Ai e ka kaluar këtë shumë te shoqata e tij “Les Tremplins Blaise Matuidi”, që kujdeset për integrimin e fëmijëve në shoqëri nëpërmjet sportit.

"Po, e kam kaluar shpërblimin tim te shoqata ime, - ka treguar mesfushori francez. - Kilian ka shumë të drejtë kur thotë se të fitosh një mal me para ndoshta për ne nuk diçka e veçantë, por për ata është jashtëzakonisht shumë. Dhe ajo që është më e rëndësishme është që këtë dhuratë ta bësh nga zemra, ta ndjesh vërtet se duhet t’i ndash të mirat materiale më të tjerët. Kur shoh buzëqeshjen e një fëmije, ndjej një kënaqësi të pafundme”, - ka theksuar Matuidi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë