Futboll

Kosova, kalvari sportiv e miqësorja e harruar me Jugosllavinë

Nga Mendrit Shehu – Kosova tashmë është një përfaqësuese e afirmuar në arenën ndërkombëtare, ku me rezultatet e arritura ka fituar zemrën e tifozëve dhe ekspertëve të futbollit. Pasi kanë lënë prapa krahëve periudhën e luftës, futbollistët e kësaj përfaqësuese të re, po përpiqen të lënë gjurmë. Historia e kësaj përfaqësuese është e hershme dhe nis në vitin e largët 1942. 28 Nëntori i vitit 1942 përkon me 30 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, ku një meritë të veçantë ka edhe Kosova. Në kuadër të festimeve të organizuara nga fashistët bënte pjesë edhe zhvillimi një ndeshje miqësore, ku do të luante për herë të parë përfaqësuesja e Kosovës. 29 Nëntor 1942, ora 14:30 ku për herë të parë përfaqësuesja e Kosovës do të hynte në histori. Ndeshja u luajt në fushën e Shallvareve dhe u ndoq nga 8000 tifozë.

Kjo miqësore ishte organizuar nga Vepra Kombëtare e Mbaspunës Shqiptare dhe në tribunë mund të shihje personalitete si Ministri i Tokave të Lirueme, Eqerem Bej Vlora, drejtues të lartë të fashizmit dhe një delegacion i ardhur nga Kosova në kuadër të festimeve. Përballë Kosovës ndodhej, “Përfaqësuesja e Tiranës” (një taktikë e asaj kohe ishte edhe përdorimi i këtij emërtimi për disa ndeshje të kombëtares). E përfunduar me rezultatin 2-0, ishte një nga ndeshjet më të bukura dhe emocionuese të asaj periudhe.

Tiranë, 29 Nëntor 1942, “Përfaqësuesja e Tiranës”- “Përfaqësuesja e Kosovës” 2-0

TIRANA: Laçej, Himal Qiri, Kurani, Koxhja, Demneri, Balla, Derani, Lisi, Bylyku, Visha.

KOSOVA: Daci, Ballanca, Zaimi, Xurxa, Veseli, Hamza, Dulatahi, Vraniqi, Barbaroga, Bajrami, Henci.

Golat: Ali Visha 5′, Zyber Lisi89′

Me kalimin e viteve kjo përfaqësuese kaloi një periudhë të qetë, duke zhvilluar vetëm disa ndeshje testuese brenda Jugosllavisë. 1967-a ka qenë një vit i bujshëm për Kosovën jo vetëm në aspektin sportiv. Gjithçka nis në vitin 1966, ku më 31 korrik 1966, në Brione të Jugosllavisë, Josip Broz Tito drejtoi Plenumin IV të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Disa zhvillime politike, veçanërisht ky plenum, patën ndikim në hapjen e disa proceseve. Në këtë periudhë u artikulua kërkesa për “Kosovën- Republikë”. Ndryshimet kushtetuese të vitit 1967, paralajmëruan përforcimin e pozitës kushtetuese – juridike të republikave dhe të krahinave autonome, veçanërisht në marrëdhëniet brenda Federatës. Në anën tjetër të kufirit, për Shqipërinë e izoluar, viti 1967 do të ishte një nga vitet më të rëndësishme në aspektin sportiv. Jemi në vitin e ndeshjes ‘’legjendare’’ Shqipëria — RF Gjermane 0-0. Ky rezultat i papritur solli eliminimin e Nënkampiones së Botës, duke ndihmuar në këtë mënyrë ‘’armiqtë’’ Jugosllavë. Dhuratë perfekte. Si për ironi të fatit mbas 48 vjetëve, fati i Shqipërisë për çudi u var edhe te fitorja e saj 3-0 ndaj Serbisë. Bëhet fjalë për ndeshjen e famshme të dronit, kur nga 26 lojtarët e grumbulluar, plot 15 prej tyre ishin shqiptarë të Kosovës. Një nga miqësoret e veçanta të zhvilluara nga Kosova është edhe ajo përballë Jugosllavisë. 7 tetor 1967 në Hamburg, Gjermani fiton 3-1 me Jugosllavinë dhe një fitore sado e ngushtë e saj në Tiranë, do t’i dhuronte kualifikimin. Natyrisht nëse Jugosllavia do të fitonte më 12 nëntor 1967 në Beograd me Shqipërinë. Pikërisht gjatë përgatitjeve për ndeshjen me Shqipërinë, Jugosllavia vendos të nxjerrë në skenë përfaqësuesen e Kosovës. Një ngjarje e tillë nuk mund të mos kalonte pa tërhequr vëmendjen e gjithë Prishtinës. Ishte hera e parë që Kosova shfaqej para sportdashësve të saj. Janë 15 futbollistë të grumbulluar për këtë ndeshje, ku bënte pjesë edhe i mirënjohuri Luan Prekazi, i cili formonte sulmin e Partizanit të Beogradit. Trajner i Kosovës është Arsim Fehmiu, vëlla i aktorit të madh Bekim Fehmiu, një personalitet i sportit të Kosovës. Por, çfarë e shtyu regjimin jugosllav që të zhvillonte një miqësore me Kosovën? Arsyeja kryesore është ajo politike, ku edhe kjo ndeshje është vazhdim i reformave brenda konfederatës. Gjithçka përkon edhe me vizitën e Tito-s në Kosovë, ku ndër të tjera deklaronte: ”Bashkësia jonë ka menduar edhe për nxjerrjen e Kosovës e Metohisë nga moszhvillimi dhe i ka gjetur e i ka mjetet e veta… Vëllazërimi e bashkimi nuk janë fjalë boshe.” Një tjetër arsye e kësaj miqësore është edhe fakti që trajneri i Serbisë kërkonte të përballej më një skuadër që ka të njëjtin temperament dhe karakter si kombëtarja e Shqipërisë. Ndeshja, nga ana tjetër është spektakolare, ku Luan Prekazi zhvillon një paraqitje të shkëlqyer, duke i shënuar dy gola Jugosllavisë, përpara 15.000 spektatorëve, ndeshja përfundon me rezultatin 3-3, një arritje “historike” e Kosovës përballë kombëtares legjendare së Jugosllavisë.

08.11.1967, Prishtinë, Stadiumi i Qytetit.

Kosova-Jugosllavia 3-3

Kosova: Millosavlevic (Novakoviq), Stevanoviq, Mushikiq, Abrashi (Resh), S.Gjukiq, V.Gjukiq, Brovina (Mërgja, Kuçi), Hatibi (Shuica), Radoviq, L.Prekazi, Pindoviq. TRAJNER: Arsim Fehmiu.

Jugosllavia: Vukçeviq, Fazliagiq, Damjanoviq, (Milenko Bajiq), Gjeorgjeviq (Dakiq), Paunoviq, Holcer, Novak, Osim, Llazareviq, Spreço, Rora (Antiq).

Trajner: Rajko Mitiq. GOLAT: L.Prekazi 3′, 75′, Spreço 9′, Llazareviq 18′, Dakiq 55′ (autogol), Osim në të 61′.

Historia e Kosovës, jo vetëm ajo sportive ka kaluar nëpërmjet një kalvari vuajtjesh, ku vetëm në vitin 1999, u çlirua nga ‘’kthetrat’’ e Jugosllavisë. Përfaqësuesja e Kosovës u themelua më 29 nëntor 1942, gjatë festimeve për 30-vjetorin e Pavarësisë. Vitet do kalonin dhe gjithçka do të harrohej, deri më 13 Maj 2016, në Kongresin e FIFA-s që u zhvillua në Meksikë, Kosova mori 141 vota pro, të mjaftueshme këto për pranimin e saj si anëtarja e 210-të në shtëpinë më të madhe të futbollit botëror. Një tjetër ditë historike për futbollin kosovar, pas 3 majit 2016, kur Kosova u pranua me shumicë votash në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA) gjatë Kongresit të 40-të në Budapest, Hungari.

 

Më Shumë